Sonte koncerti-homazh për Liljana Cingun, “mbretëreshën e valles shqiptare”

Ansambli Popullor mban sot një koncert-homazh për valltaren e njohur Liljana Cingu, “mbretëresha e valles shqiptare” që u shuajt në muajin shkurt pas betejës me një sëmundje të rëndë.
“Ajo ka qenë ikonë ndër vite me vallen e Rexhës, vallen cigane ose ‘nën hijen e mollës’, siç e quajmë. Këto valle i kemi sjellë sot në Teatrin e Operës dhe Baletit në orën 20:00,” tregoi valltari Endri Sejati në studion e RTSH 24.
Sejati ka qenë vetë një ndër nxënësit e shumtë të Cingut.
“Ishte shumë e shkëlqyer. Kam pasur fatin që e njoha personalisht. Kudo që shkonim na këshillonte, na jepte kurajë… Që 12 vjeç jam trajnuar edhe me Prof. Rexhep Çelikun. Tani jam 26 vjeç. Që i vogël më futën në zemër vallen popullore,” tha Sejati.
Koncert-homazhi i sotëm përfshin një repertor të spikatur veprash të luajtura nga valltarja Cingu.
“Kemi mbi një muaj që përgatitemi posaçërisht për këtë koncert. Të rinjtë janë gati me valle solistike. Kjo u shton peshën sidomos vajzave, të cilat duhet të arrijnë atë ‘perfeksionin’ e saj,” tregoi valltari i ri.
“Nderi i Kombit” Liljana Cingu u shquajt si një individualitet që i dha hov Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore edhe përtej kufijve. Karriera e saj numëron dhjetëra çmime, urdhra e medalje të ndryshme si, “Çmimi i Republikës”, Urdhri “Naim Frashëri”, “Disku i Artë”, “Artiste e Merituar”, “Mjeshtër i Madh”, “Nderi i Kombit”, medalje në shtete të ndryshme etj., vlerësime këto të bëra nga personalitete të artit e kulturës shqiptare dhe botërore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




