Koncerti i YE, Rama pret Kanye West në Kryeministri, i dhuron librin “Albania Files”  

Aktualitet | 4 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka pritur në ambientet e Kryeministrisë reperin dhe këngëtarin me famë botërore, Kanye West (YE), i cili mbrëmjen e sotme do të mbajë një koncert në Tiranë.

Në një video të publikuar nga Rama në rrjetet sociale, kryeministri i prezanton artistit ambientet e godinës së Kryeministrisë, duke e shoqëruar në sallën e mbledhjeve të qeverisë, në zyrën e tij, si edhe duke i treguar pikturat e ekspozuara në mure.

Gjatë takimit, Rama i dhuroi këngëtarit edhe librin “Albania Files”. I pranishëm në pritje ishte edhe Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.

Rama e shoqëroi videon e publikuar në rrjetet sociale me këngë të Kanye West dhe pesë yje, në një referencë ironike ndaj sulmeve online për uljen e vlerësimeve të bizneseve.

Kanye West do të ngjitet mbrëmjen e sotme në skenë në Tiranë, ku do të zhvillojë koncertin e tij në një stadium të ndërtuar posaçërisht për këtë aktivitet, një nga ngjarjet muzikore më të mëdha të organizuara këtë verë në Shqipëri.

Më herët gjatë ditës, Rama publikoi edhe pamje nga “Eagle Stadium“, arena e ngritur posaçërisht në zonën e Kasharit për koncertin e artistit amerikan. Kryeministri theksoi se organizimi i ngjarjeve të mëdha kulturore sjell përfitime ekonomike dhe shërben si promovim i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Koncerti i Kanye West zhvillohet mbrëmjen e sotme në “Eagle Stadium”, i ndërtuar enkas për këtë aktivitet. Për të garantuar mbarëvajtjen e eventit dhe menaxhimin e trafikut, Policia e Tiranës ka vendosur kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore pranë stadiumit, ndërsa autostrada Tiranë-Durrës vijon të jetë e hapur për qarkullimin e automjeteve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme