Sot Samiti i Procesit të Berlinit në Londër, Rama i pranishëm në panelet për vizionin strategjik dhe migracionin

Mbahet këtë të mërkurë (22 tetor) në Londër Samiti i Procesit të Berlinit me fokus kryesor bashkëpunimin rajonal, rritjen ekonomike dhe migrimin. Pjesë e punimeve të samitit do të jetë Kryeministri Edi Rama, si dhe liderët e pesë vendeve të tjera të rajonit.
Kreu i qeverisë shqiptare do të mbajë fjalën e tij në dy panele të këtij samiti, atë mbi “Ambicien dhe vizionin strategjik” dhe “Rritjen, migracionin dhe sigurinë”.
Në punimet e samitit do të marrin pjesë liderë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, sikurse; Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia; qeveritë partnere të Procesit të Berlinit – Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Gjermania, Greqia, Italia, Polonia, Sllovenia dhe Mbretëria e Bashkuar; përfaqësues të Shoqërisë Civile, të Rinisë dhe Biznesit nga Ballkani Perëndimor; Institucionet e BE-së – Komisioni Evropian (KE), Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) dhe Presidenca e Këshillit; institucionet financiare ndërkombëtare; si dhe Organizatat rajonale.
Agjenda
14:20: Mbërritja e delegacionit shqiptar dhe pritja nga Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar.
14:30: Pritje nga Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar.
14:45: Foto familjare.
15:00: Fillon seanca plenare.
15:10: Paneli i Liderëve të Ballkanit Perëndimor mbi “Ambicia dhe Vizioni Strategjik”.
Kryeministri Edi Rama është planifikuar të mbajë një fjalim.
15:40: Paneli i Liderëve të Ballkanit Perëndimor mbi “Rritjen, Migracionin dhe Sigurinë”.
Kryeministri Edi Rama do të mbajë gjithashtu një fjalim.
16:00: Mbyllja e Seancës Plenare.
Një ditë më parë, kryeministri Rama ishte i pranishëm në Forumin për Sigurinë dhe Politikat Globale në Londër, ku ngriti shqetësimin për mënyrën se si po trajtohet emigracioni në debatin publik në Mbretërinë e Bashkuar, duke e cilësuar këtë qasje si një “lojë e rrezikshme”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




