Spahiu: Nëse nuk e sjell PET Scanin brenda 2027, jap dorëheqjen. Spahia: Operatori i ri ngre pyetje serioze

Politikë | 49 minuta më parë

“O e sjell PET Scan-in, o jap dorëheqjen!” Është ky premtimi i bërë nga foltorja e Kuvendit i Ministres së Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, e cila ka vendosur edhe një afat konkret për realizimin e tij.

“Në janar fillon Instituti i Onkologjisë. Në fillim të vitit 2027, unë ose e sjell PET Scan-in, ose jap dorëheqjen”, deklaroi Spahiu.

Në fjalën e saj në interpelancën e thirrur nga PD-ja, ministrja Spahiu, ka folur për tre shërbime shëndetësore që, sipas saj, kanë qenë në qendër të debatit publik dhe politik: hemodializa, sterilizimi dhe kontrolli mjekësor bazë. “Për të kuptuar ku jemi sot, duhet të kuptojmë ku ishim dje”, u shpreh Spahiu, teksa solli në vëmendje zhvillimin e shërbimit të hemodializës ndër vite. Sipas ministres, në vitet 2000 hemodializa ishte një shërbim i kufizuar, ndërsa viti 2005 shënoi një kthesë, kur numri i pacientëve nisi të rritej me shpejtësi.

“Viti 2005 shënoi një kthesë, numri i pacientëve filloi të rritej me shpejtësi. U hap shërbimi i dializës, i pari në Spitalin Rajonal të Elbasanit”, tha ajo. Spahiu iu referua edhe situatës në vitin 2011, kur Shqipëria kishte arritur në 284 pacientë për milion banorë. “Por ishim larg shifrave të kërkuara ndërkombëtare”, deklaroi ministrja.

Ajo tha se në vitin 2012 shërbimi ofrohej në disa spitale rajonale, por sistemi vijonte të përballej me problematika teknike dhe infrastrukturore. Sipas saj, kapacitetet publike nuk mjaftonin dhe sektori privat mori përsipër një pjesë gjithnjë e më të madhe të shërbimit. Spahiu e cilësoi si problem të rëndësishëm edhe shtrirjen gjeografike të shërbimit.

“Deri në vitin 2016, pacientët e Vlorës duhet të udhëtonin tri herë në javë drejt Tiranës për seanca që zgjasnin katër orë”, tha ajo.

Ministrja theksoi rëndësinë e investimeve në kapacitetet publike dhe marrjen e drejtpërdrejtë të përgjegjësive nga shteti. “Sot është pyetje tjetër që duhet të na shqetësojë: a i kemi ndërtuar kapacitetet që shteti ta marrë këtë përgjegjësi? Përgjigjja për disa nga këto shërbime është po”, u shpreh Spahiu.

Sa i përket sterilizimit, ministrja deklaroi se shërbimi është nën drejtimin e OSHISH që prej muajit prill. Ndërsa për kontrollin mjekësor bazë, ajo tha se administrimi shtetëror ka nisur më 11 shtator.

Deputeti i Partisë Demokratike dhe kryetari i Komisionit për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, Bardh Spahia, kritikoi ashpër qeverinë për mënyrën e administrimit të sistemit shëndetësor, duke akuzuar mazhorancën për mungesë transparence, llogaridhënieje dhe korrupsion. Sipas tij, qytetarët shqiptarë përballen çdo ditë me kostot e sistemit shëndetësor. Spahia e cilësoi krijimin e Operatorit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësore si një strukturë që centralizon një sërë kompetencash.

“Qytetarët paguajnë mbi 60% të shpenzimeve për shëndetësinë direkt nga xhepi. Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore nuk është asgjë tjetër, përveçse një mënyrë e re për të grabitur qindra miliona euro të destinuara për pacientët shqiptarë”, tha Spahia.

Ai ngriti pikëpyetje mbi kompetencat e strukturës së re, duke theksuar se operatori do të ketë rol në blerje, magazinim, logjistikë, administrimin e rezervave dhe shërbimeve të tjera.

“E krijuat këtë agjenci në mungesë të plotë llogaridhënie dhe transparence”, u shpreh ai, duke kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë sqarime mbi bazën ligjore, kompetencat, fondet dhe mekanizmat e kontrollit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme