SPAK merr të pandehur Erion Veliajn – Akuza edhe ndaj Ajola Xoxës dhe deputetes Klotilda Bushka

Aktualitet | 1 vit më parë

Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur zyrtarisht kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij Ajola Xoxën. SPAK ka përfunduar hetimet por ka lënë 24 shtatorin si afat fundor për dërgimin e çështjes për gjykim.

Oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë shkuar në Paraburgimin e Durrësit, për t’i komunikuar akuzat Veliajt. Ndërsa prokurori i dosjes, Olsi Dado, nuk ka qenë i pranishëm me grupin e hetuesve të BKH-së.

Nga ana tjetër Ajola Xoxa është paraqitur në SPAK ku i janë komunikuar akuzat për korrupsion, fshehje të pasurisë dhe pastrim parash. Xoxa dhe avokati Maks Haxhia kanë marrë materialet dhe në bazë të dispozitave, ku pas njohjes me akuzat, do të vendosin se çfarë qëndrimi do të mbajnë.

Mësohet se është marrë i pandehur edhe një biznesmen i ri në dosjen “Veliajt”. Bizmesmeni Mirton Lika i është komunikuar akuza e “Fshehjes së të ardhurave”, emri i të cilit nuk është përmendur më herët.

Një ditë më parë edhe biznesmeni Elman Abule u mor zyrtarisht i pandehur për pastrim parash.

Ndërkohë mësohet se SPAK ka  marrë të pandehur disa persona të tjerë, konkretisht Klotilda Bushkën deputeten aktuale të PS-së të cilës i kanë komunikuar akuzën për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës në dosjen “Veliaj”. 

Gjithashtu Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë të pandehur edhe policin e burgjeve pasi akuzohet se i dha telefonin Erion Veliajt për të komunikuar gjatë kohës që transportohej nga Paraburgimi drejt Apelit të Posaçëm për masën e sigurisë.

Gazetare: Jonela Sagajeva

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme