SPAK refuzon kërkesën e Veliajt për t’u takuar me monitoruesit e KE-së: Nuk specifikoi emrat e përfaqësuesve që dëshironte të takonte

Aktualitet | 12 muaj më parë

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka bërë të ditur sot se ka refuzuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për t’u takuar me anëtarë të Komitetit të Monitorimit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, gjatë vizitës së tyre në Shqipëri (17-19 Nëntor).

Përmes një njoftimi zyrtar, SPAK qartësoi se kërkesa për takim nga i pandehuri Veliaj kishte mbërritur në Prokurori në datën 11 Nëntor 2025.

Refuzimi dhe argumenti ligjor

Kërkesa e Veliajt u refuzua nga Prokuroria e Posaçme në datën 18 Nëntor 2025. Në deklaratë, SPAK theksoi se refuzimi bazohet në ligjin nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” (nenet 49 pika 1 dhe 73 pika 1 dhe 2), si dhe në VKM nr. 209/2022.

SPAK specifikoi se “Veliaj kishte kërkuar lejimin e një takimi zyrtar, por pa specifikuar emrat e përfaqësuesve të Këshillit të Evropës që dëshironte të takonte”.

Prokuroria e Posaçme hodhi poshtë edhe raportimet e ndryshme në media, duke qartësuar se ajo vetë nuk kishte marrë asnjë kërkesë nga përfaqësuesit e Komitetit të Monitorimit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës për t’u takuar me kryebashkiakun Veliaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme