Zbardhet vrasja e Klevis Lleshit, 3 në pranga, në kërkim porositësi. SPAK: U paguan 50 mijë euro për gjakmarrje

Pas pesë vitesh mister, SPAK ka arritur të zbardhë vrasjen e 21-vjeçarit Klevis Lleshi nga Burreli, i cili u zhduk në gusht të vitit 2020 dhe u gjet i groposur dy vite më vonë në fshatin Shpërdhet të Kurbinit.
Sipas hetimeve, porositës i vrasjes dyshohet të jetë Aurel Hoxha, pronar i lokalit “Monopol” në zonën e Myslym Shyrit, i cili ka dashur të hakmerrej për vrasjen e vëllait të tij, Agim Hoxha, ngjarje e ndodhur në vitin 2012.
Prokuroria e Posaçme ka lëshuar katër urdhër-arreste për këtë ngjarje, ku në pranga kanë përfunduar tre prej tyre, dy të arrestuar në vendin tonë, ndërsa një tjetër është arrestuar në Itali. Në kërkim vijon të jetë vetëm porositësi i vrasjes, Aurel Hoxha.
SPAK akuzon këto persona se kanë vepruar si një grup i strukturuar kriminal të përfshirë në vrasje me pagesë, gjakmarrje dhe pastrim parash. Në rastin e vrasjes së Klevis Lleshit, SPAK thotë se është kryer kundrejt pagesës prej 50 mijë eurosh.
“Dyshohet se vrasja është kryer me armë zjarri dhe kundrejt pagesës prej 50.000 eurove. Porositës i vrasjes për gjakmarrje dyshohet të jetë shtetasi A.K (alias A.H), në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e vëllait të tij në Mbretërinë e Bashkuar, në vitin 2012. Si ndihmës dhe ndërmjetës dyshohet të jetë shtetasi, A.K, ndërsa si ekzekutor dyshohet të jetë shtetasi S.N.”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Hetuesit kanë arritur në këtë rezultat falë përgjimeve të komunikimeve të koduara në aplikacionin SkyEcc, ndërsa policia dhe forcat speciale kanë ushtruar kontrolle në biznesin e Hoxhës dhe në disa qytete të tjera të vendit.
Gjithashtu SPAK thotë se ky grup kryente edhe trafik droge nga Amerika Latine drejt vendeve të BE-së, ndërsa paratë e përfituara nga ky aktivitet kriminal investoheshin në Shqipëri në aktivitete tregtare e pasuri të paluajtshme.
“Të ardhurat e kundërligjshme, dyshohen se janë krijuar nga aktiviteti i kundërligjshëm i trafikimit të narkotikëve nga vendet e Amerikës së Jugut, drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shqipëri. Nga ky aktivitet i paligjshëm dyshohet se janë krijuar të ardhura monetare të cilat kanë shërbyer për investime në aktivitete tregtare, pasuri të paluajtshme dhe pasuri të luajtshme, këmbimin apo transferimin e pasurive, me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të tyre, kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave”, thotë SPAK.
Historia e kësaj ngjarjeje lidhet me një sagë hakmarrjeje mes dy fiseve, e cila nisi në vitin 2012 kur Agim Hoxha u vra nga Arben Lleshi. Më pas, zinxhiri i ngjarjeve vijoi me vrasjen e babait të Klevisit, Xhavit Lleshi, në vitin 2013, dhe të vëllait të tij, Hajredin Lleshi, në 2016. Klevis Lleshi ishte viktima e radhës e kësaj gjakmarrjeje.
Trupi i tij u zhduk pas vrasjes, ndërsa eshtrat u gjetën nga banorët e zonës në vitin 2023 dhe u identifikuan përmes ADN-së. Në vitin 2023, saga e gjakmarrjes mori një tjetër kthesë, kur Arben Lleshi, autori i vrasjes së parë u ekzekutua brenda burgut të Peqinit nga Sokol Mjacaj, ngjarje që u pa si vazhdim i zinxhirit të gjatë të hakmarrjes mes dy familjeve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




