Spiropali në Memorialin e Holokaustit: Shqipëria nderohet si e drejtë mes kombeve për shpëtimin e hebrenjve

Aktualitet | 1 vit më parë

Në ditën e dytë të qëndrimit të saj në Izrael, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, vizitoi qendrën përkujtimore të Holokaustit “Yad Vashem”, ku është dokumentuar përndjekja dhe vrasja e gjashtë milionë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali shkruan se “Shqipëria nderohet e vlerësohet si e drejtë mes kombeve, me refuzimin për çnjerëzimin dhe dorëzimin e hebrenjve në duart e persekutorëve”.

Ministrja shtoi se akti njerëzor e kombëtar i shpëtimit të hebrenjve është pjesë e trashëgimisë morale dhe historike të vendit tonë.

“Jeruzalem – Kudo shkoj, Shqipëria dhe historia jonë më bëjnë të ndihem krenare. Kështu ndodhi edhe në “Yad Vashem”, në qendrën përkujtimore të Holokaustit, ku është dokumentuar në imtësi e thellësi, një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë njerëzore.

Krenare që Shqipëria nderohet e vlerësohet si e drejtë mes kombeve, me refuzimin për çnjerëzimin dhe dorëzimin e hebrenjve në duart e persekutorëve, duke hapur dyert, shtëpitë dhe zemrat për ta, me një akt njerëzor e kombëtar që sot është pjesë e trashëgimisë sonë morale dhe historike”, shkroi Spiropali në rrjetin social Facebook.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme