Spiropali takohet me Grenellin në Nju-Jork: Rikonfirmuam aleancën e palëkundur të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara

Në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi një takim të rëndësishëm me Richard Grenell, Emisarin Special të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Misionet e Posaçme dhe Drejtorin Ekzekutiv në detyrë të “John F. Kennedy Center for the Performing Arts” në Uashington.
Takimi, ku morën pjesë edhe presidenti Bajram Begaj dhe ministra të Jashtëm të rajonit, shërbeu për të riafirmuar aleancën e fortë strategjike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe politik.
Ministrja Spiropali theksoi rëndësinë e këtij takimi, duke nënvizuar se “fuqizimi i marrëdhënieve mbetet një prioritet kryesor për qeverinë shqiptare teksa vazhdojmë të punojmë së bashku për thellimin e bashkëpunimit ekonomik.”
Ajo shtoi se gjatë diskutimeve u rikonfirmua “aleanca e palëkundur e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara – si objektivi ynë kryesor strategjik”.
Takimi mes Spiropalit dhe Grenell-it u zhvillua në Nju-Jork gjatë një periudhe intensive të angazhimeve diplomatike në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku liderët botërorë po diskutojnë çështje globale si paqja, siguria dhe zhvillimi i qëndrueshëm.
Richard Grenell, një figurë e njohur për rolin e tij në administratën Trump si Emisar Special për dialogun Kosovë-Serbi dhe për misionet e tjera diplomatike, ka qenë një mbështetës i fortë i angazhimit të SHBA-së në Ballkan.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.








