Spitali rajonal i Shkodrës në gatishmëri për festa, garanton shërbim të pandërprerë për qytetarët
Spitali Rajonal i Shkodrës ka ndërmarrë një plan të posaçëm masash për të përballuar fluksin e shtuar të pacientëve gjatë festave të fundvitit.
Drejtori i spitalit, Senad Halluni, në një deklaratë për mediat bëri të ditur se janë marrë masa organizative dhe strukturore për të përballuar situatën.
Drejtori Halluni u shpreh: “Janë marrë të gjitha masat në hartimin e grafiqeve me strukturat mjekësore, stafin infermieror, strukturat mbështetëse, strukturat e sanitarëve, strukturat e hotelerisë, etj. Pra, i gjithë stafi është në gatishmëri maksimale për të garantuar shërbimin e sigurt dhe cilësor.”
Ai theksoi se fluksi më i lartë i pacientëve pritet të jetë në shërbimin e Urgjencës, i cili do të funksionojë 24 orë në 24, me kapacitete të plota për të përballuar çdo rast që paraqitet. “Duke pasur parasysh që fluksi më i madh është tek shërbimi i Urgjencës, ne kemi shtuar numrin e mjekëve të urgjencës dhe stafin për të pritur qytetarët që mund të kenë nevojë,” shtoi Halluni.
Ky plan synon garantimin e shërbimit shëndetësor pa ndërprerje dhe me cilësi për të gjithë qytetarët që do t’i drejtohen këtij institucioni gjatë këtyre ditëve.
Drejtuesit e spitalit u bëjnë thirrje qytetarëve që, në rastet urgjente, t’i drejtohen menjëherë Urgjencës, ndërsa për problematika më të lehta shëndetësore të ndjekin këshillat e mjekëve të familjes, për të shmangur mbingarkesën e panevojshme të shërbimeve.
Gazetar: Mirsad Rakaj
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




