Sportistët dhe artistët e huaj që marrin shtetësi shqiptare, përcaktohen kriteret dhe procedurat

Çdo shtetas i huaj që ka kontribut të veçantë në fushat e arsimit, shkencës, artit, kulturës dhe sportit, për të cilat vendi ynë ka interes kombëtar, do të mund të përfitojë me procedurë të përshpejtuar shtetësinë shqiptare. Në kuadër të këtij vendimi, qeveria shqiptare tashmë ka përcaktuar edhe kriteret, procedurat e kërkesës dhe verifikimit dhe kontrollove të nevojshme për fitimin e shtetësisë shqiptare. Këto kritere dhe procedura tani kanë marrë edhe formë zyrtare.
Program i veçantë i shtetësisë në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit, si dhe tërësia e dispozitave normative, e kritereve teknike, mbi bazën e të cilave një kontribut i një shtetasi të huaj në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit, do të vlerësohet si kontribut me interes kombëtar për shtetin shqiptar dhe me anë të të cilit mund të fitohet shtetësia shqiptare.
“Kërkesa për fitimin e shtetësisë shqiptare e paraqitur nga kërkuesi për fitimin e shtetësisë, vetë ose nëpërmjet një përfaqësuesi me prokurë, do të bëhet në bazë të një formati të përcaktuar ligjërisht. Kërkues do të konsiderohet çdo shtetas i huaj, i cili plotëson kriteret teknike dhe kërkon për fitimin e shtetësisë shqiptare, sipas programeve të veçanta në fushat e arsimit, shkencës, sportit, artit apo kulturës.”, thuhet në vendimin zyrtarë.
Ndërsa vlerësimin për kontributet në fushat e mësipërme do ta japë ministria përgjegjëse për arsimin, shkencën dhe sportin ose artin dhe kulturën, e cila vlerëson kontributin e kërkuesit për t’u bërë pjesë e programeve të veçanta të shtetësisë.
Kush ka të drejtë të paraqesë kërkesë?
Ka të drejtë të kërkojë për t’u përfshirë në programin e veçantë shtetasi i huaj, që plotëson disa kritere si të ketë mbushur moshën 18 vjeç; nuk ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë në shtetin e vet, në Shqipëri ose në ndonjë shtet të tretë për vepra penale, për të cilat ligji shqiptar parashikon dënime me jo më pak se 3 (tre) vjet heqje lirie.
Përjashtim nga ky rregull bëhet vetëm në ato raste kur vërtetohet se dënimi është dhënë për motive politike.
Mund të paraqesë kërkesën çdo shtetas i huaj dhe në rastet kur nuk përbën kërcënim për sigurinë kombëtare dhe rendin publik të Shqipërisë; nuk rezulton i regjistruar si person me rekorde kriminale në listat e organizatave ndërkombëtare, partnere të sigurisë; deklaron se do të banojë në territorin e Republikës së Shqipërisë për një periudhë të paktën 3 (tre) muaj gjatë 5 (pesë) vjetëve nga miratimi i kërkesës dhe se ka kontribut të veçantë në fushat e arsimit, shkencës, artit, kulturës dhe sportit.
Dokumentet shoqëruese duhet të jenë në gjuhën shqipe ose të përkthyera me deklaratën e nënshkruar të përkthyesit zyrtar ose me vërtetim nga noteri.
“Kërkesa për përfshirjen në programet e veçanta të shtetësisë paraqitet në Agjencinë për Hartimin e Programeve të Veçanta të Shtetësisë nga vetë kërkuesi ose përfaqësuesi me prokurë. Në çdo rast, kërkesa për fitimin e shtetësisë në bazë të programeve të veçanta të shtetësisë shqiptare, e paraqitur prej përfaqësuesit me prokurë në emër të kërkuesit duhet të nënshkruhet nga vetë kërkuesi për sa i përket të dhënave, deklarimeve të lidhura ngushtësisht me kërkuesin, në emër të cilit paraqitet kërkesa.”, thuhet në vendim.
Kërkesa për fitimin e shtetësisë shqiptare duhet të përmbajë:
a) emrin, atësinë, mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen, vendbanimin ose vendqëndrimin e kërkuesit;
b) tregimin e fakteve dhe të rrethanave që mbështesin kontributin, në bazë të programeve të veçanta për fitimin e shtetësisë.
Në rast se rezulton që kërkesa për fitimin e shtetësisë nuk përmban elementet e mësipërme, kjo përbën shkak për mospranimin e saj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



