Starmer: Putinit nuk mund t’i besohet, po vonon bisedimet për paqe dhe kryen sulme ndaj Ukrainës

Kryeministri britanik Keir Starmer ka deklaruar se presidentit rus Vladimir Putin nuk mund t’i besohet pasi ai “vazhdon të vonojë bisedimet e paqes dhe njëkohësisht të kryejë sulme ndaj Ukrainës” dhe përshëndeti deklaratat nga partnerët e Koalicionit të Vullnetit për të furnizuar Ukrainën me raketa me rreze të gjatë veprimi.
Duke folur online me vendet që janë pjesë e Koalicionit të Vullnetit për Ukrainën, Starmer tha se Rusia në sulmet e saj nuk ka kursyer as ndërtesat e delegacionit të BE-së.
“Kjo u theksua më tej nga sulmet pa dallim në Kiev javën e kaluar, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në ndërtesat e Këshillit Britanik dhe delegacionit të BE-së”, tha kryeministri britanik.
Duke diskutuar planifikimin e fundit ushtarak për Koalicionin e të Vullnetshmëve, kryeministri theksoi se “grupi kishte bërë një premtim të pathyeshëm ndaj Ukrainës, me mbështetjen e Presidentit Trump, dhe ishte e qartë se tani duhej të shkonin edhe më tej për të ushtruar presion mbi Putinin për të siguruar një ndërprerje të armiqësive”, thuhet në mesazhin e publikuar në faqen zyrtare të internetit të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Kryeministri mirëpriti gjithashtu njoftimet nga partnerët e Koalicionit të Vullnetit për të furnizuar Ukrainën me raketa me rreze të gjatë veprimi për të forcuar më tej furnizimet e vendit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




