Stina Koncertore në RTSH, Blerta Ristani: Koncertet tashmë me bileta me pagesë

Kulturë | 1 vit më parë

Drejtoresha e Orkestrës Simfonike të RTSH, Blerta Ristani, ka njoftuar se koncertet e Orkestrës do të jenë me pagesë.

Në studion e emisionit “Në kohë reale”, ajo theksoi se Televizioni Publik i ofron publikut falas të gjithë produksionet e veta, por kur bëhet fjalë për një shfaqje, për koncerte live, kjo praktikë do të ndryshojë duke ndjekur modelet ndërkombëtare ku publiku kontribuon përmes blerjes së biletave.

“Koncertet tona që zhvillohen në sallat më të mira të Tiranës, në Universitetin e Arteve dhe Teatrin e Operas, për publikun deri më sot kanë qenë falas, por tani do t’i bëjmë me shitje, sepse, vërtet Televizioni Publik i ofron publikut falas të gjithë produksionet e veta, por kur bëhet fjalë për një shfaqje, për një koncert që është live për publikun, kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës që të bësh një koncert dhe publiku të hyjë falas”, tha drejtoresha e Orkestrës Simfonike të RTSH-së.

Ristani, ka ndarë disa nga veçoritë që e bëjnë trupën artistike të RTSH unike në skenën muzikore shqiptare.

“E veçanta e Orkestrës Simfonike është se në kalendarin tonë, për 2 apo 3 koncerte në muaj që bëjmë, vijnë programe të reja, pra çdo dalje në skenë është një program i ri, sidomos këto 2-vjeçarin e fundit. Kam tentuar shumë të fus premiera, si të kompozitorëve tanë edhe të huaj. Është e vështirë, sepse një orkestër e tillë si e jona, që i ka të gjitha instrumentet, ka një repertor bazë për veprat klasike dhe më të njohurat në botë, por për ta bërë më interesant kalendarin artistik vjetor, duhet të gjesh një fabul apo një titull për të tërhequr më shumë spektatorin. Një simfoni e Beethoven-it e luan e gjithë bota, por e veçanta është që orkestra e sjell në formën e vet, pra çdo vend i vesh karakterin e tij. Pjesë e rëndësishme e performancës së Orkestrës është ajo e dirigjentit. Ne ftojmë edhe dirigjentë të huaj. Na intereson shumë të vijnë emra të njohur dhe solistë të njohur.

Orkestra jonë simfonike është e vetmja orkestër e skenës ku të gjithë këta muzikantë janë solistë në një skenë. Pra, vlera që mbart orkestra dhe individët brenda është jashtëzakonisht e madhe. Ne bëjmë 2 apo 3 koncerte në muaj me një impenjim të zakonshëm, sikurse thashë, me programe të reja gjithmonë e më shumë”, tha Ristani.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme