Strategjia ligjore ndaj Veliajt në emisionin “3D”, analisti Beregu zbulon “gabimet” e avokatëve në rekurs

Aktualitet | 5 muaj më parë

Ecuria ligjore e çështjes ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka vijuar të jetë në qendër të debateve në emisionin “3D” të gazetarit Alban Dudushi në RTSH. Gjatë analizës së hollësishme mbi shkaqet e rekursit dhe strategjinë e mbrojtjes, analisti Zylyftar Beregu, i pranishëm në panel, hodhi dritë mbi prapaskenat e vendimmarrjes së djeshme në Gjykatën e Lartë. Sipas tij, dështimi i avokatëve për të ndryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” lidhet drejtpërdrejt me përdorimin e argumenteve politike dhe jo-profesionale në dërgimin e rekursit.

Beregu vuri në dukje se e vërteta e procesit fshihet pas detajeve teknike që avokatët kanë depozituar në dosje. Sipas të dhënave të siguruara prej tij, mbrojtja ka gabuar në qasjen e saj fillestare, duke përdorur formulime që nuk përkojnë me natyrën e Gjykatës së Lartë.

Analisti specifikoi gabimet e strategjisë së mbrojtjes gjatë seancës së djeshme:

“Nga informacionet dhe burimet e mia brenda Gjykatës së Lartë, shkaqet e rekursit të shqyrtuara dje nuk janë konsideruar të përshtatshme nga gjykata. Madje, avokatët kanë përdorur në rekursin e tyre argumente dhe togfjalësha të tillë si: ‘Erion Veliajn e do populli i Tiranës në krye të Bashkisë’, apo ‘nuk mund t’i ndërpritet mandati’ – formulime këto që janë të papërshtatshme për sistemin gjyqësor.”

Këto pretendime të karakterit popullor apo elektoral, sipas tij, kanë penalizuar kërkesën për liri, duke detyruar rrjedhimisht mbrojtjen që të jetë shumë më profesionale dhe e kujdesshme në hartimin e argumenteve për seancën e ardhshme.

Filtri i Apelit të GJKKO-së dhe vështirësia për ndryshimin e masës

Më tej, analiza në emisionin “3D” u ndal te standardi i ri që vetë Gjykata e Lartë ka imponuar për masën ekstreme të arrestit në burg—standard i cili detyron organin e akuzës dhe gjykatat që të argumentojnë saktësisht se pse asnjë nga masat e tjera më të lehta (si “arrest shtëpie” apo “detyrim paraqitje”) nuk i përgjigjet qëllimit të hetimit.

Në këtë pikë, Beregu theksoi se vendimi i Gjykatës së Apelit të GJKKO-së ka qenë i blinduar proceduralisht nga trupa gjykuese:

“Po të shohim me vëmendje vendimin e Gjykatës së Apelit të GJKKO-së, duket se ai i ka analizuar me radhë dhe pikë për pikë argumentet se pse masat e tjera ishin të pamjaftueshme përpara se të mbërrinte te masa e arrestit. Për këtë arsye, në këtë rast ndryshimi i masës është i vështirë.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme