“Struktura të papajtueshme”, hapet ekspozita e Majlinda Kelmendit në Shkodër
Në galerinë “ODA” të Shkodrës u hap ekspozita me piktura dhe instalacione, “Struktura të Papajtueshme”, e artistes Majlinda Kelmendi.
Projekti krijon një qasje të veçantë, duke vënë në qendër përplasjen e formave dhe materialeve, si një mënyrë për të treguar se bukuria gjendet edhe te mospërshtatja.
“Unë nuk kam dashur të shkoj tek e bukura, tek e përkryera, por nëpërmjet veprave të mia të shpreh pikërisht që gjithmonë harmonia është ajo çka është më e mirë gjatë jetës. Unë nuk kam qejf ta imponoj publikun. Unë kam dëshirë që publiku të marrë një suport si e mendon, si e përjeton artin tim,” tha piktorja.
Si një pedagoge në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, znj. Kelmendi shpreh vlerësimin për zhvillimin bashkëkohor që ka marrë piktura shqiptare.
“Ajo çka për një brez tjetër mezi përpihet, për brezin e ri kapet shpejt. Lëvizjet e lira nëpër botë, nëpër Evropë e deri në Amerikë të të rinjve tanë, por edhe tonat… i përthithin në mënyrë të natyrshme konceptet e reja, kështu që të dyja bashkë sjellin këtë produkt, këtë art që sot po krijohet në Shqipëri dhe Kosovë,” u shpreh znj. Kelmendi.
Prej vitesh Majlinda Kelmendi ka ekspozuar në galeri e muze brenda dhe jashtë vendit punimet e saj, duke fituar disa çmime ndërkombëtare. Çelja e ekspozitës u shoqërua me praninë e një publiku të gjerë, mes tyre personalitete të artit, kulturës dhe botës akademike.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




