Studentë, kujdes me vizat e studimit në SHBA, ambasada amerikane në Tiranë sqaron arsyet e anulimit
Më shumë se 6,000 viza studentore për këtë vit janë anuluar nga Departamenti i Shtetit.
Arsyet e këtij vendimi i ka sqaruar edhe ambasada amerikane në Tiranë, e cila ka shpërndarë informacionin e konfirmuar nga mediat amerikane.
Kjo nismë e ndërmarrë nga Administrata Trump, vjen si pjesë e një serie masash që synojnë kufizimin e imigracionit dhe revokimin e vizave për ata që ndjekin institucione akademike në SHBA. Kjo jo vetëm për tejkalime të afateve të qëndrimit, por dhe për shkelje të ligjit.
“Në maj të këtij viti, Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha se administrata po rishikonte statusin e vizave të studentëve që morën pjesë në protestat pro-palestineze. Nga totali i vizave të anuluara vetëm rreth 4,000 viza janë revokuar sepse këta vizitorë kanë shkelur ligjin gjatë vizitës në Amerikë, duke përfshirë të dhëna për sulme dhe drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose drogës.
Ata, të cilëve u janë hequr vizat për shkak të mbështetjes për terrorizmin përbëjnë një numër afro 300 persona, të përfshirë në sjellje të tilla si mbledhja e fondeve për grupin militant Hamas, të cilin Departamenti i Shtetit i SHBA-së e ka shpallur si një organizatë terroriste”, thuhet në reagim nga mediet amerikane.
Megjithatë, demokratët kanë kundërshtuar përpjekjet e administratës Trump për të revokuar vizat, duke pohuar se kjo është në kundërshtim me ligjin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




