Stuhi dhe shira të rrëmbyeshëm, Mema: Zona e Thethit më e prekura, situata në Shkodër po shkon drejt normalizimit

Aktualitet | 12 muaj më parë

Pas tre ditësh reshjesh intensive dhe stuhish të forta, Shkodra duket se po i rikthehet normalitetit. Në një lidhje Skype për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, Bekim Mema, Drejtor i Përgjithshëm i Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik në Bashkinë Shkodër, bëri një panoramim të situatës dhe masave të marra nga institucionet vendore.

“Situata është e normalizuar. Aktualisht nuk ka reshje, por sipas njoftimeve të Institutit të Meteorologjisë pritet që gjatë ditës të ketë sërish reshje. Fatmirësisht, falë ndërhyrjeve të kryera vitet e fundit, reshjet e kësaj periudhe ishin të përballueshme”, u shpreh Mema.

Ai theksoi se parandalimi ka qenë çelësi për menaxhimin e situatës, duke shtuar se të gjitha strukturat ndodhen në gatishmëri dhe në koordinim të plotë.

Mema bëri të ditur se zona më e goditur ka qenë Thethi, ku rrëshqitjet e dheut dhe gurëve shkaktuan bllokim të qarkullimit për disa orë. Njësitë e ndërhyrjes përdorën mjete të posaçme për hapjen e rrugës.

“Zonat e tjera të Bashkisë Shkodër janë të qeta. Ka patur vetëm ndërhyrje sporadike, por asnjë problematikë serioze që të cënonte jetën e qytetarëve,” tha Mema.

Ndër zonat që tradicionalisht përballet me përmbytje, Nënshkodra këtë herë ka rezultuar më e mbrojtur falë punës së kryer në pastrimin e kanaleve të para, të dyta dhe të treta nga bordi i kullimit.

“Pastrimi i kanaleve ka dhënë rezultate konkrete. Nuk kemi pasur problematika serioze,” theksoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme