Sulm me shpatë në një shkollë në Suedi, plagosen disa persona

Një person i armatosur me shpatë ka plagosur disa persona në një shkollë në qytetin Fagersta, në Suedinë qendrore.
Policia suedeze bëri të ditur se një person është arrestuar, ndërsa nuk ka specifikuar ende numrin e të plagosurve apo gjendjen e tyre shëndetësore.
Forcat e policisë u njoftuan rreth orës 14:00 me orën lokale për një incident në shkollën e mesme Brinellskolan.
Në vendngjarje janë parë ambulanca, automjete policie dhe një helikopter policie, ndërsa autoritetet kanë vendosur perimetër sigurie rreth shkollës.
Për shkak të incidentit, shkollat e tjera në zonë janë mbyllur përkohësisht, ndërsa policia u ka bërë thirrje qytetarëve të respektojnë bllokimet e rrugëve dhe udhëzimet e forcave të sigurisë.
Ministri suedez i Drejtësisë, Gunnar Strömmer, tha se qeveria është në kontakt të ngushtë me policinë dhe e cilësoi ngjarjen si një incident serioz.
Fagersta është një qytet me rreth 12 mijë banorë, rreth 170 kilometra në veriperëndim të Stokholmit. Hetimet për zbardhjen e rrethanave të sulmit vijojnë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




