Sulme nga Irani? Ambasada amerikane për RTSH: Mbrojtja e amerikanëve, përparësi e Trump. Bashkëpunojmë me qeverinë shqiptare

Aktualitet | 7 muaj më parë

Një ditë pas paralajmërimit të lëshuar për mundësinë e shënjestrimit edhe në Shqipëri të subjekteve të lidhura me SHBA nga grupet e lidhura me Iranin, ambasada amerikane ka deklaruar ekskluzivisht për RTSH-në, se siguria dhe mbrojtja e qytetarëve amerikanë është në fokus të administratës Trump.

Në përgjigjen e dhënë për RTSH, ambasada sqaron se po bashkëpunon ngushtësisht me autoritetet shqiptare për të vlerësuar situatën dhe për të zbutur rreziqet e sigurisë.

Po ashtu, ambasada vlerëson më tej bashkëpunimin e ngushtë që ka me qeverinë shqiptare në çështjet e sigurisë, teksa nënvizon angazhimin e autoriteteve shqiptare për garantimin e siugurisë së qytetarëve amerikanë në vendin tonë.

“Faleminderit për kërkesën. Ne ofrojmë përgjigjen e mëposhtme në sfond (on background), që mund t’i atribuohet një zyrtari të ambasadës:

 “Administrata Trump nuk ka përparësi më të lartë se siguria dhe mbrojtja e amerikanëve.  Ne po bashkëpunojmë ngushtë me autoritetet shqiptare për të vlerësuar situatën dhe për të zbutur rreziqet e sigurisë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara vlerëson bashkëpunimin e saj të ngushtë në çështjet e sigurisë me Qeverinë e Shqipërisë, e cila ka shfaqur një angazhim të vazhdueshëm për të garantuar sigurinë e qytetarëve amerikanë dhe të gjithë banorëve të Shqipërisë.  Ne do të ofrojmë më shumë informacion sapo të jetë i disponueshëm”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Një ditë më parë Ambasada Amerikane paralajmëroi qytetarët amerikanë në Shqipëri dhe në mbarë botën për një rrezik të shtuar nga grupet e lidhura me Iranin, si pasojë e konfliktit aktual në Lindjen e Mesme.

Sipas alertit të sigurisë, grupet e mbështetura nga Irani mund të synojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara, si dhe elementë të opozitës iraniane që ndodhen në Shqipëri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme