Sulmet ruse, ambasadorja e BE-së në Ukrainë: Moska po godet maternitetet, këndet e lojërave dhe shkollat

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Ukrainë, Katarína Mathernová, ka komentuar sulmin masiv ajror të Rusisë në Ukrainë, duke thënë se rusët “nuk meritojnë asgjë tjetër përveç përbuzjes, dënimit dhe ndëshkimit të drejtë për të gjitha krimet e tmerrshme të luftës që po kryejnë në Ukrainë”.
“Rusët bombarduan një maternitet në Odesa. Foshnjat e porsalindura dhe nënat e tyre të rraskapitura u desh të evakuoheshin. Rusët nuk do të ndalen para asgjëje. As të porsalindurit e pafajshëm nuk kursehen. Pati një sulm masiv në Kiev. Gjashtë ose shtatë lagje u goditën, me dëme në ndërtesat e banimit. Disa zjarre shpërthyen gjatë operacioneve të shpëtimit dhe ndërhyrjeve të mbrojtjes ajrore. Sipas Zyrës së Presidentit, dy persona vdiqën gjatë natës dhe nëntë të tjerë u plagosën rëndë. Por numri i të vdekurve mund të rritet ende”, shkroi Mathernová në Facebook ditën e sotme.
Ajo vuri në dukje se autoritetet në Kiev dhe Odesa i quajtën sulmet “terror i zgjatur kundër civilëve”.
“Rusët sulmojnë maternitetet, këndet e lojërave dhe shkollat, mbjellin terror dhe rrëmbejnë fëmijë. Ata meritojnë vetëm përbuzje, dënim dhe një ndëshkim të drejtë për të gjitha krimet e tmerrshme të luftës që po kryejnë në Ukrainë. Shpresoj fuqimisht që lajmi për këto sulme të natës të ketë mbërritur tashmë në tavolinat e vendimmarrësve dhe t’i nxisë ata të ushtrojnë më shumë presion mbi Rusinë për të ndaluar këtë terror”, tha ambasadorja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




