Sulmet ruse me dronë në Poloni, NATO: Po forcojmë sistemin mbrojtës

NATO njoftoi të premten se po forcon sistemin e saj mbrojtës në krahun lindor, që kufizohet me Bjellorusinë, Rusinë dhe Ukrainën, me pajisje të reja për të parandaluar agresionin e mundshëm rus pas incidentit me dronë rusë në territorin polak.
Komandanti suprem i NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, tha se një operacion i ri, i quajtur “Eastern Sentry”, do të shtojë pajisje nga Franca, Danimarka, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar në mbrojtjen ekzistuese ajrore dhe tokësore të aleancës.
“Ky është një dizajn krejtësisht i ri mbrojtës,” tha Grynkewich për gazetarët në selinë e NATO-s në Bruksel.
Avionët luftarakë francezë Rafale, F-16 danezë, një fregatë dhe sisteme mbrojtëse tokësore janë premtuar për operacionin.
Grynkewich tha se burimet shtesë do të mundësojnë mbylljen e boshllëqeve në mbrojtje dhe përqendrimin e forcave aty ku nevojiten, duke përmirësuar komunikimin përgjatë gjithë krahut lindor të NATO-s.
Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se do të dërgojë tre avionë Rafale në Poloni, ndërsa Britania e Madhe prezantoi sanksione të reja kundër të ardhurave nga nafta dhe makinerisë ushtarake ruse.
“Siguria e kontinentit evropian është prioriteti ynë kryesor. Nuk do t’i nënshtrohemi frikësimit në rritje të Rusisë,” shkroi Macron në X, duke shtuar se vendimi u diskutua me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe kryeministrin britanik Keir Starmer.
Ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, e përshëndeti operacionin në një postim në X si “parandalim aktiv dhe gatishmëri për të mbrojtur kudo që nevojitet.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




