Sulmet ruse në Ukrainë, të paktën 25 të plagosur në Kharkiv, mes tyre 9 fëmijë. 2 viktima në Kiev

Botë | 32 minuta më parë

Një tjetër natë sulmesh ruse ka goditur Ukrainën, ku dronët kanë shënjestruar kryesisht qytetet e Kharkivit dhe Kievit. Në Kharkiv, të paktën 25 persona kanë mbetur të plagosur, mes tyre nëntë fëmijë, ndërsa dy kate të një pallati banimi janë shkatërruar.

Lajmi është bërë i ditur nga Oleh Syniehubov, kreu i Administratës Ushtarake Rajonale të Kharkivit, përmes një njoftimi në Telegram, të raportuar nga Ukrinform.

Sipas autoriteteve, sulmi goditi katin e dytë të një pallati banimi, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe duke shkatërruar dy kate të ndërtesës. Ekipet e emergjencave ndodhen në terren dhe po vijojnë punën për përballimin e pasojave të sulmit.

Kharkivi është goditur dy herë gjatë natës. Fillimisht, autoritetet raportuan për dy persona të plagosur në distriktin Saltivskyi, ndërsa më pas bilanci i të plagosurve u rrit në 25.

Edhe kryeqyteti ukrainas është përballur me sulme gjatë natës. Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, katër persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa janë dëmtuar ndërtesa në katër distrikte të Kievit dhe janë regjistruar disa zjarre.

Në distriktin Podilskyi, një ndërtesë jorezidenciale është dëmtuar dhe është përfshirë nga flakët, ndërsa një pjesë e çatisë është shembur. Gjatë një sulmi të dytë, vala goditëse ka thyer dritaret e një pallati banimi aty pranë, ku ekipet e shpëtimit kanë gjetur tre persona të plagosur.

Në distriktin Holosiivskyi, një dron ka goditur një banesë private dykatëshe, duke plagosur një person. Ndërkohë, zjarre janë raportuar edhe në ndërtesa zyrash në distriktet Pecherskyi dhe Shevchenkivskyi.

Kallas: Rusia po planifikon akte të reja sabotimi

Përshkallëzimi i situatës vjen ndërsa Bashkimi Evropian paralajmëron për rreziqe të reja të lidhura me aktivitetet ruse.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, deklaroi para Këshillit të BE-së për Mbrojtjen se, sipas informacioneve të inteligjencës, Rusia po planifikon akte të tjera sabotimi dhe sulme ndaj demokracive evropiane.

“Duhet të qëndrojmë vigjilentë, sepse nga informacionet tona të inteligjencës rezulton se Rusia po planifikon akte të tjera sabotimi dhe sulme kundër demokracive tona, me synimin për të përçarë dhe frikësuar shoqëritë tona dhe për t’i penguar ato të vazhdojnë të ndihmojnë Ukrainën”, tha Kallas.

Ajo theksoi gjithashtu nevojën urgjente të Ukrainës për sisteme të mbrojtjes ajrore, duke u bërë thirrje vendeve që disponojnë sisteme të tilla në rezervat e tyre që të shqyrtojnë mundësinë e dërgimit të tyre në Ukrainë.

Rumani, droni hyn në hapësirën ajrore, ngrihen dy avionë F-16

Ndërkohë, edhe Rumania ka aktivizuar masat e saj të mbrojtjes ajrore, pasi një objekt fluturues u zbulua duke shkelur hapësirën ajrore rumune pranë kufirit me Ukrainën.

Ministria rumune e Mbrojtjes bëri të ditur se dy avionë luftarakë F-16 u ngritën nga baza ajrore e Borceas për të monitoruar situatën.

Sipas autoriteteve, objekti ajror hyri në hapësirën ajrore rumune përmes zonës së Ceatalchioit dhe fluturoi përgjatë kufirit, përpara se sinjali i tij të zhdukej nga radarët rreth 10 minuta më vonë, pranë zonës së Somovës.

Inspektorati i Përgjithshëm Rumun për Situatat e Emergjencave lëshoi gjithashtu një alarm për sulm ajror në qarkun verior të Tulçes, i cili zgjati rreth një orë e gjysmë. Një ekip i specializuar i Ministrisë së Mbrojtjes do të kryejë verifikime në zonën ku u raportua incidenti.

Në kuadër të forcimit të mbikëqyrjes, NATO ka shtuar monitorimin e hapësirës ajrore rumune, duke vendosur sisteme shtesë për paralajmërimin dhe zbulimin e hershëm.

Ndërkohë, Parlamenti rumun ka miratuar një ligj që u jep forcave të armatosura autoritetin për të rrëzuar dronët që shkelin hapësirën ajrore të vendit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme