Sulmi iranian, reagon Katari: Shkelje flagrante e lirisë së lundrimit, Ngushtica e Hormuzit të rihapet pa kushte

Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit ka dënuar sulmin iranian ndaj tankerit të ADNOC-it, duke e cilësuar atë si “shkelje flagrante të rregullave të së drejtës ndërkombëtare, të lirisë së navigacionit detar dhe shkelje të qartë të Rezolutës 2817 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”
“Ministria e Punëve të Jashtme ripërsërit refuzimin kategorik të shtetit të Katarit ndaj përdorimit të Ngushticës së Hormuzit si mjet tregtimi si dhe thirrjen për rihapjen e saj pa kushte. Liria e navigacionit në këtë kalim jetik është një parim i vendosur fort që nuk pranon kompromis. Mbyllja e vazhdueshme e ngushticës vë në rrezik interesat jetike të vendeve të rajonit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë.
Katari theksoi nevojën urgjente për të ndaluar “sulmet e pajustifikuara” të Iranit ndaj pronave të vendeve fqinje dhe shprehu “solidaritetin e plotë” me Emiratet e Bashkuara Arabe (UAE).
Ky qëndrim i Katarit vjen në mes të tensioneve të rritura në Gjirin Persik pas sulmit iranian ndaj tankerit, duke theksuar rëndësinë e sigurisë dhe stabilitetit të navigacionit ndërkombëtar në një nga rrugët më të rëndësishme të tregtisë botërore të naftës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




