Sulmi me review në Google, mbi 200 persona po verifikohen, ndërsa bizneset kanë dorëzuar 15 denoncime

Aktualitet | 4 muaj më parë

Një valë denoncimesh ka mbërritur në Policinë e Shtetit nga biznese private, të cilat pretendojnë se janë bërë objekt i një sulmi të koordinuar përmes komenteve dhe vlerësimeve negative në platformën Google.

Sipas burimeve, deri tani janë regjistruar 15 denoncime, ndërsa hetimet e Krimit Kibernetik vijojnë. Mbi 200 persona janë identifikuar dhe po verifikohen, pasi dyshohet se kanë përdorur llogaritë e tyre në rrjetet sociale për të publikuar ose shpërndarë vlerësime negative ndaj bizneseve. Hetuesit po shqyrtojnë nëse veprimet kanë qenë të koordinuara dhe nëse përbëjnë elementë të veprave penale si manipulimi i tregut, përhapja e informacioneve të rreme, shpifja apo falsifikimi kompjuterik. Qëllimi i hetimeve është identifikimi i organizatorëve të kësaj fushate, e cila, sipas bizneseve, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në reputacionin dhe aktivitetin e tyre ekonomik.

Ndërkohë, me ndërhyrjen e autoriteteve shqiptare, Google ka nisur rikthimin e vlerësimeve të bizneseve në gjendjen e mëparshme. Sipas autoriteteve, platforma ka identifikuar dhe bllokuar llogaritë që dyshohet se janë përdorur në mënyrë të rreme për këtë fushatë, duke kufizuar mundësinë e tyre për të publikuar më tej vlerësime.

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme