Sulo: LaCivita rriti PD-në në sondazhe. Heqja e nongratës ndaj Dodik, sinjal për Berishën

Aktualitet | 12 muaj më parë

Analisti Arion Sulo ka deklaruar në emisionin “Trialog” në RTSH1 se dora e Chris LaCivita, strategut të fushatës elektorale në Partinë Demokratike i dha pikë kësaj force politike para zgjedhjeve të 11 majit.

Duke diskutuar mbi shumat e shpenzuara për lobimin dhe strategët e fushatave elektorale në politikën shqiptare, Sulo tha se çmimi i menaxhimit të fushatave është rritur që nga viti ’90 e deri më sot.

“Në respekt të atyre që nuk e shtyjnë dot muajin në Shqipëri por të vërtetat duhen thënë, ekziston një hipokrizi e madhe e tregut politik. Gjithmonë kështu ka qenë. Përveç 2-3 fushatave të para, se fushatat kanë kushtuar miliona lekë në fillim, tani miliona euro. Edhe kompanitë e lobimit aq kushtojnë”, u shpreh Sulo.

Ai u ndal te rasti i Berishës i cili pajtoi si strateg të fushatës së tij elektorale, amerikanin Chris LaCivita i cili deri atë kohë kishte qenë bashkëdrejtues i fushatës së Trumpit. Për këtë rast, Sulo tha se “ta marrësh Berishën 2 herë kryeministër, 81 vjeç, t’i thuash do bëhesh kryeministër me nongrata ajo nuk paguhet”.

“Ky është realiteti, duhet të bjerë maska e politikës e atyre financimeve fake. Të gjitha veprimet janë fiktive. Çmimet e amerikanëve janë më të shtrenjta. Është pagesë me mik sepse në Shqipëri në atë kohë nuk erdhi vetëm LaCivita që ishte bashkëdrejtues i fushatës së Trumpit në 2024. Erdhi firma e shefes së kabinetit të Trumpit. Dhe çfarë ndodhi? PD pagoi bashkëdrejtuesin e fushatës së Trumpit që ishte fitues në 2024”, tha më tej Sulo.

Ai shpjegoi se prania e LaCivitas në fushatën elektorale të Partisë Demokratike i shtoi pikë në sondazhe kësaj force politike, por që pavarësisht shkoi në atë kuotë pikësh që ishte më parë nisur nga dalja e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit 2025.

“E mbani mend ditën kur LaCivita u prezantua dhe foli për Ramën si vëllai i Sorosit dhe siç e bëjmë në Amerikë do ta bëjmë edhe këtu, Partia Demokratike u ngrit disa pikë në sondazhe. Javën tjetër dolën listat dhe shkoi atje ku ishte. Nuk ka LaCivita që t’i bëjë ballë mënyrë se si zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri”, shpjegoi Sulo.

Sulo shtoi se sa i përket nongratës së Berishës, rasti i Milorad Dodik i cili u hoq nga lista e nongratës prej SHBA-së, ky është një sinjal edhe për vetë kreun e Partisë Demokratike.

“Nga njëra anë ke listën e dobët, nga ana tjetër ke nongratën dhe manipulimin, kjo është çështja. Dhe nongrata vazhdon. Heqja e nongratës së Dodikut nuk është shumë larg premtimit që kemi për Berishën”, shtoi Sulo.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme