Sveçla inspekton vijën kufitare në veri të Kosovës: Serbia po dëshmon çdo ditë se është shtet agresor

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka inspektuar sot vijën kufitare në veri ku javën e kaluar u rrëmbye shtetasi Milan Vukašinović.
Gjatë inspektimit në pikën “Lokvica” afër Leposaviqit, Sveçla ka konfirmuar se, sipas të gjitha informatave dhe dëshmive të mbledhura nga Policia e Kosovës, Vukašinović u plagos me armë zjarri brenda territorit të Kosovës më 1 nëntor dhe më pas u tërhoq me forcë në Serbi nga struktura paralele serbe.
Aktualisht ai ndodhet i shtruar në spitalin e Nishit, ku mbahet nën mbikëqyrje të rreptë dhe i mohohet e drejta për avokat e kontakt me familjen.
“Në bazë të informatave dhe dëshmive të siguruara nga autoritetet tona, tashmë është e ditur se duke u shkelur sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës z. Vukashinoviq është rrëmbyer nga strukturat e Serbisë si kundërshtar i Listës Serbe.
I njëjti pas plagëve të marra po trajtohet në spitalin e Nishit në Serbi. Serbia po dëshmohet çdo ditë e më shumë jo vetëm si shtet agresor ndaj fqinjëve të saj, por edhe në thelb si shtet antidemokratik, pasi që z. Vukashinoviq ende po i mohohet mbrojtja ligjore e cila edhe në vendet më diktatoriale garantohet me ligj”, shkruan Svelça.
Ministri ka bërë të ditur se hetimet intensive vazhdojnë pa ndërprerë për identifikimin e plotë të autorëve dhe bashkëpunëtorëve, të cilët do të dalin para drejtësisë sapo të përfundojnë procedurat.
“Institucionet tona po vazhdojnë me hetime intenzive në zbulimin e të gjithë rastit dhe akterëve të përfshirë në të dhe në momentin e parë do të sillen para përgjegjësisë, si dhe do të merren masa për të i’u kundërvënë sjelljeve kriminale e destruktive të Serbisë në raport me Republikën e Kosovës”, shkruan më tej ministri Svelça.
Ai i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të rrisë presionin ndaj Serbisë për të ndalur praktikat destabilizuese dhe për të parandaluar përsëritjen e akteve që rrezikojnë paqen në rajon.
“Apeloj tek bashkësia ndërkombëtare që të shtoj presionin dhe ndërmarrë masa ndaj shtetit serb, në mënyrë që të ndëshkojë këtë sjellje destabilizuese por edhe të parandalojë situata të tjera të cilat do të ngrisnin tensione në rajon”, përfundon në postimin në rrjetin social në Facebook.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




