Takim virtual për Ukrainën, Trump paralajmëron pasoja nëse Putin nuk pranon t’i japë fund luftës

Botë | 1 vit më parë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se kishte pasur një “bisedë shumë të mirë” këtë të mërkurë me udhëheqësit evropianë, përfshirë Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ndërsa përgatitet për samitin e së premtes me udhëheqësin rus, Vladimir Putin.

“Patëm një telefonatë shumë të mirë. Do ta vlerësoja me 10. E dini… shumë, shumë miqësore”, u tha ai gazetarëve gjatë një eventi në Qendrën Kennedy në Uashington.

Trump shtoi se dëshiron të zhvillojë një takim “të dytë të shpejtë” me Putinin dhe Zelenskyn pas takimit me homologun rus në Alaskë. 

“Nëse takimi i parë shkon mirë, do të kemi një të dytë të shpejtë. Do të doja ta bëja pothuajse menjëherë, një takim mes meje, Putin dhe Zelenskyt”, tha ai.

Pyetjes së gazetarëve nëse do të kishte pasojë në qoftë se në takimin e së premtes nuk do të arrihej marrëveshje për të përfunduar luftën, Trump u përgjigj duke thënë “po”, por pa i specifikuar ato. 

Nga ana tjetër, pas përfundimit të takimit virtual me Trump, Zelensky dhe kancelari gjerman Merz theksuan rëndësinë e përfshirjes së Ukrainës në çdo negociatë për paqen, duke nënvizuar se siguria e vendit duhet të garantohet pa kompromise. Zelensky deklaroi se Rusia nuk mund të ketë të drejtë vetoje ndaj anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe kërkoi presion të bashkuar ndaj Moskës për një armëpushim të qëndrueshëm. Ndërsa Merz shtoi se Evropa është e vetëdijshme për nevojën e garancive të sigurisë për Ukrainën dhe se mbështetja për ushtrinë ukrainase duhet të vazhdojë. Ndërkohë, presidenti fancez Emmanuel Macron tha se çdo shkëmbim territorial në Ukrainë “duhet të diskutohet vetëm me Ukrainën”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme