Takime në Bundestag/ Tabaku nga Berlini: Transparenca dhe zgjedhjet e lira, themeli i rrugëtimit drejt BE-së

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila mban edhe postin e Kryetares së Komisionit për Mediat dhe të Drejtat e Njeriut, ka zhvilluar këtë të mërkurë një seri takimesh në Berlin. Në qendër të diskutimeve me ligjvënësit gjermanë ishin sfidat e demokracisë në Shqipëri dhe ecuria e procesit të integrimit evropian.
Gjatë vizitës në Bundestag, sipas RTSH 24, Tabaku u prit nga deputeti gjerman Knut Abraham. Në fokus ishte gjendja aktuale e lirisë së medias dhe domosdoshmëria për standarde të larta zgjedhore.
“Transparenca dhe një media e pavarur janë themeli i një sistemi demokratik funksional,” citohet të ketë thënë Tabaku, duke shtuar se vetëm përmes tyre mund të rikthehet besimi i qytetarëve tek institucionet shtetërore.
Agjenda e deputetes demokrate vijoi me takime të tjera të rëndësishme, përfshirë atë me Peter Beyer, kryetar i grupit të miqësisë së Bundestagut me Ballkanin Perëndimor, si dhe me deputetin David Preisendanz. Në këto biseda, spektri i diskutimit u zgjerua duke përfshirë panoramën politike dhe atë ekonomike të vendit.
Tabaku theksoi para partnerëve gjermanë se qeverisja e mirë, mjedisi i shëndetshëm mediatik dhe integriteti i proceseve zgjedhore nuk janë thjesht çështje të brendshme, por faktorë përcaktues për shpejtësinë e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në përmbyllje të vizitës, Tabaku u shpreh se e ardhmja europiane e Shqipërisë është e pazgjidhshme nga ndërtimi i institucioneve të qëndrueshme dhe zbatimi i reformave që sjellin rezultate konkrete, duke konfirmuar angazhimin për të punuar ngushtë me partnerët strategjikë në Berlin dhe Bruksel.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




