Takimi me Salianjin, Ilir Alimehmeti: Fraksioni në PD, shkëputja e drejtuesve nga baza e demokratëve
Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, ka sqaruar se takimi i zhvilluar mes tij, anëtarit të kryesisë së PD-së, Ervin Salianji dhe disa prej kandidatëve më të votuar të qarqeve të tjerë, nuk ka për qëllim të përçajë PD-në, por përkundrazi, të kontribuojë në forcimin e saj. I ftuar në emisionin “Tema e Ditës” me Arbër Hitajn në RTSH, Alimehmeti tha se ky takim erdhi për shkak të mungesës së hapësirave brenda partisë ku zëri i tyre të dëgjohet.
“Në asnjë mënyrë nuk duam të përçajmë, nuk është as lëvizje e re, as jashtë PD. Është koncept brenda partisë, si mund ta forcojmë PD. Ekziston një fraksion horizontal, por kupola dhe baza janë shumë të ndara nga njëra-tjetra. Ne po themi si ta afrojmë këtë, si ta mbyllim hapësirën që është krijuar ndërmjet strukturave drejtuese dhe bazës së demokratëve. Ne duam që zëri i bazës të dëgjohet lart, por tani është e vështirë që të dëgjohet edhe zëri ynë, imagjinoni i bazës,” u shpreh Alimehmeti.
Ai theksoi se PD ka nevojë për një analizë zgjedhore të plotë, jo vetëm për humbjet, por edhe për zonat ku ka pasur fitore. Sipas tij, demokratët presin përgjigje të qarta për përgjegjësitë dhe për mënyrën se si do të riorganizohet partia.
Duke u ndalur te protestat e opozitës para Kryeministrisë, Alimehmeti kritikoi format aktuale, duke theksuar se nevojiten protesta masive dhe të qëndrueshme, jo thjesht fjalime në shesh.
“Deklarohet farsë zgjedhore nga PD, OSBE/ODIHR e verifikon këtë, kemi rastin Balluku, a ka kauza më të mëdha opozita se këto? GJKKO kërkon pezullimin nga detyra, kryeministri nuk e zbaton vendimin e gjykatës. Duhen protesta masive, me shembuj të fortë, jo vetëm fjalime. Veprimet duhet të jenë të tilla që të komandojnë respekt dhe mbështetje,” tha Alimehmeti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



