Takimi PD–Delegacioni BE, Bardhi dhe demokratët i shprehin Tarquinio shqetësimet për zgjedhjet dhe krimin e organizuar

Politikë | 1 vit më parë

Një delegacion i Partisë Demokratike (PD), i kryesuar nga Kryetari i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, zhvilloi një takim me delegacionin e Komitetit Parlamentar të Stabilizim–Asociimit BE–Shqipëri, të kryesuar nga eurodeputeti Marco Tarquinio. Në takim morën pjesë edhe deputetët Jorida Tabaku, Belind Këlliçi, Tomorr Alizoti dhe Elda Hoti.

Biseda u përqëndrua në kriteret thelbësore që Shqipëria duhet të përmbushë për avancimin e procesit të integrimit evropian. Deputetët e PD-së vlerësuan rëndësinë e këtij procesi, duke theksuar se rruga drejt BE-së duhet të mbështetet fort në përmbushjen e reformave thelbësore dhe forcimin e institucioneve demokratike, dhe jo në vendime politike të motivuara nga arsye gjeopolitike.

Zgjedhjet e 11 Majit

Një pikë kryesore e diskutim ishte ndikimi negativ që bashkëpunimi qeveritar me krimin e organizuar ka mbi ecurinë europiane të Shqipërisë. Përfaqësuesit e opozitës informuan eurodeputetët me gjetjet e raportit të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 majit. Ata theksuan se ky raport konfirmon shqetësimet e ngritura prej kohësh nga PD, duke vërtetuar se procesi i 11 majit nuk ishte “i lirë e i ndershëm, por një farsë elektorale,” ku opozita u përball me një “parti-shtet”.

Sipas PD-së, “raporti evidenton probleme serioze si përdorimi i administratës publike në fushatë, shantazhimi i votuesve, si dhe përdorimi i elementëve të krimit të organizuar dhe blerja e votës, të cilat cenojnë rëndë standardet demokratike.“

Gjithashtu, ata shprehën zhgënjimin për rezultatet e Task-Forcës së SPAK, duke theksuar se këto rezultate janë përdorur si “alibi nga Edi Rama apo për të goditur kundërshtarët e tij në zgjedhje.”

Pengimi i parlamentarizmit

Opozita informoi gjithashtu zyrtarët europianë për tentativat e mazhorancës për të “zhbërë parlamentarizmin në vend,” duke përfshirë refuzimin e komisioneve hetimore parlamentare, pengimin e interpelancave dhe mocioneve me debat, në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe demokratike.

Në përfundim, përfaqësuesit e Partisë Demokratike rikonfirmuan se PD mbetet forca politike më e angazhuar për integrimin europian të Shqipërisë dhe se do të vijojë punën për forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, si kusht thelbësor për anëtarësimin në BE.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme