Taksë 25% të importeve nga India – Trump: Tarifa edhe për blerjet ushtarake do të hyjë në fuqi nga 1 gushti

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të mërkurën se vendi i tij do të vendosë taksë prej 25 për qind ndaj mallrave të importuara nga India duke filluar nga 1 gushti.
“Përderisa India është mikja jonë, ne, përgjatë viteve, kemi bërë biznes relativisht të vogël me ta, sepse taksat e tyre janë tepër të larta, ndër më të lartat në botë, dhe ata i kanë barrierat tregtare më të padurueshme dhe më të bezdisshme se cilido shtet”, shkroi presidenti amerikan në rrjetin “Truth Social”.
Ai tha se India, e cila e ka ekonominë e pestë më të madhe në botë, gjithashtu do të ballafaqohet me një ndëshkim tjetër për blerjen e shumicës së pajisjeve të tyre ushtarake dhe energjisë nga Rusia.
Ministria e Tregtisë e Indisë, e cila është duke i udhëhequr bisedimet tregtare me Shtetet e Bashkuara, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Vendimi i Trumpit e zbeh shpresën për një marrëveshje të kufizuar tregtare mes dy vendeve, e cila ishte duke u negociuar për disa muaj.
Negociatorët tregtarë amerikanë dhe indianë kishin zhvilluar disa runde të diskutimeve për t’i zgjidhur çështjet e diskutueshme, sidomos qasjen në treg të produkteve amerikane bujqësore dhe të bulmetit.
Trump i konsideron të ardhurat nga tarifat si një mënyrë për të kompensuar rritjen e deficitit buxhetor të shkaktuar nga uljet e taksave mbi të ardhurat, si dhe për të nxitur krijimin e vendeve të reja të punës në prodhimin vendor.
Sipas të dhënave të Byrosë së Statistikave të SHBA-së, vitin e kaluar SHBA kishte një deficit tregtar prej 45.8 miliardë dollarësh me Indinë, që do të thotë se kishte importuar më shumë se sa kishte eksportuar.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





