“Të poshtëruar”, Lea Ypi tregon historinë e pazbuluar të gjyshes mes dosjeve të Sigurimit

Kulturë | 12 muaj më parë

Autorja shqiptare me famë botërore, Lea Ypi, vjen pranë lexuesve me librin e saj të dytë “Të poshtëruar: të jetosh në epokën e ekstremeve”.

Botuesja Arlinda Dudaj, në një intervistë me Andri Xhahun në emisionin “Në Radio”, shprehet se ky është libri që çimenton qenien e saj si shkrimtare.

“Është një libër i mrekullueshëm që na flet shumë ne shqiptarëve por ka edhe mesazhe universale”.

Gjithçka nis kur Lea Ypi gjen në rrjetet sociale një fotografi të vitit 1941, ku shfaqet gjyshja e saj Lemani e sapomartuar me Asllan Ypin, të dy të buzëqeshur, në kulmin e Luftës së Dytë Borërore.

Një fotografi e gjyshes, Ninit, personazhit shumë të dashur te libri i parë “Të lirë”, shfaqet në rrjetet sociale. Kjo fotografi për Lean si shkrimtare dhe si mbesa e kësaj gruaje ishte e panjohur.

Nuk e kishte parë kurrë nga dokumentet që kishin mbetur sepse ishte sekuestruar nga Sigurimi në momentin që gjyshi i Leas ishte arrestuar.

Në rrjetet sociale, ku gjithkush mund të shkruajë çfarëdo, fillon të lexojë gjithfarë gjërash për gjyshen e saj. Këtu nis ideja për të rrëfyer historinë dhe për t’u futur shumë më thellë.

Pas kësaj, autorja fillon të hulumtojë, të studiojë e të hyjë në historitë që gjyshja i ka treguar.

“Ngjarjet fillojnë që kur gjyshja lind në Selanik, në një familje bejlerësh të vjetër nën Perandorinë Otomane, në këtë vend të mbushur me lloj-lloj popullsish grekë, hebrenjë, armenë që jetonin të gjithë së bashku. Më pas ndodh shkërmoqja e Perandorisë Otomane dhe në Selanik do të duhej të bëhej shpërbërja e popullsisë. Në këtë moment gjyshja e Leas vendos të vijë në Shqipëri”.

Romani sjell momente historike gërshetuar me dialogje të imagjinuara.

“Ne historinë e dimë, por duhet shpjeguar pse jemi këta që jemi, pse dhe si erdhëm këtu. Librat e kanë këtë fuqi kaq të madhe, të kuptojmë se nga erdhëm për të kuptuar se ku po shkojmë.”

Sipas Dudajt, autorja ka bërë një eksplorim në dosjet e Sigurimit të Shtetit.

“Në një moment i vjen dyshimi se çfarë ka ndodhur me gjyshen, si ka mbijetuar e vetme e deportuar në një fshat pasi gjyshi u arrestua, si ka qenë jeta e saj? Dosjet shpjegojnë mënyrën se si përgjohej gjyshja dhe çfarë thuhej për të. Ka dashur në këtë mënyrë të kuptojë pse është thënë dhe çfarë ka bërë ajo realisht. Të gjitha janë të transkriptuara, por pa emra. Lea thotë se nuk kanë rëndësi emrat, nuk ka rëndësi kush bëri çfarë, rëndësi ka të kuptosh se si funksiononte dhe se si kjo gjë nuk duhet të përsëritet”.

Libri është një përzierje mes letërsisë, filozofisë dhe historisë.

“Është një libër me shtresa, çdo kapitull ka vlerën dhe funksionin e vet. Është një libër që nuk mund ta harrosh dhe do e risjellësh në mendje sa herë që ndodh diçka. Ka vlera universale.”

Dudaj zbulon për herë të parë se do të ketë dhe një libër të tretë.

“Pas ‘Të lirë’, ‘Të poshtëruar’, i treti do të titullohet ‘Të barabartë’. Qëllimi është të shkohet drejt një barazie sociale. Aty do të tregohet Lea Ypi që ikën për të studiuar jashtë vendit”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme