“Të vendosur të mbështesim konsolidimin e reformës në drejtësi”, Lamallari: Shqiptarët e dinë kush kërkon asgjësimin e SPAK

Politikë | 11 muaj më parë

Ministri i Drejtësisë, Besfor Lamallari foli sot në Kuvend për reformën në drejtësi, teksa bëhen 10 vite nga miratimi i saj nga parlamenti shqiptar.

Duke replikuar me deputetë të opozitës, Lamallari deklaroi se qytetarët shqiptarë e dinë kush kërkon asgjësimin e SPAK dhe kush anatemon institucionet e reja të drejtësisë. Lamallari tha gjithashtu se Reforma në Drejtësi është mbështetur dhe vënë në jetë prej Partisë Socialiste dhe se po punohet për forcimin e standardeve dhe institucioneve të drejtësisë.

“Viti i ardhshëm shënon një moment të rëndësishëm në historinë e shtetit shqiptar. Plot dhjetë vite nga miratimi i Reformës në Drejtësi, një nismë kombëtare e cila i dha jetë institucioneve të reja të drejtësisë. Përveçse një nevojë ulëritëse kombëtare për më shumë drejtësi, reforma, me gjithë kundërshtitë, përpjekjet për ta bllokuar dhe efektet e pritshme ka padyshim një rol të veçantë në të ardhmen e afërt të një vendi dhe populli evropian, i cili sot më shumë se kurrë sheh se ‘Shqipëria si gjithë Europa’”’ nuk është më një thirrje utopike pas kolapsit të një regjimi shtypës dhe dëshpërimit që pasoi nga një tranzicion sfilitës dhe zhgënjyes!”, tha ministri.

Ai theksoi se qenia vend kandidat sot me të gjithë grup-kapitujt e negociatave të hapura me Bashkimin Evropian, është falë dhe përparimit të shënuar nga zbatimi i Reformës në Drejtësi.
“E teksa Komisioni Evropian raporton vit pas viti mbi arritjet, sfidat dhe rekomandimet për sistemin gjyqësor, si Ministër i Drejtësisë kam përgjegjësinë e dyfishtë politike, të qenit njëkohësisht i matur po aq sa i zëshëm: së pari para qytetarëve të vendit tim, pa dallim bindjeje apo përkatësie partiake; së dyti, ndaj institucioneve të drejtësisë në funksion të detyrës time ligjore për mbështetjen dhe koordinim me ta, në respektim të parimit demokratik të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve”, tha ai.

Qëllimi sipas ministrit Lamallari është vetëm një, për të kontribuar për më shumë drejtësi dhe një sistem të fortë dhe të qëndrueshëm. “Në përvjetorin e 10-të të zbatimit të Reformës në Drejtësi, koha dhe pozicioni më diktojnë nevojën e një reflektimi të gjerë, gjithëpërfshirës dhe objektiv mbi arritjet dhe sfidat e drejtësisë, pas reformës!”, theksoi ai.

Lamallari tha më tej se ishte PS ajo që ideoi dhe mbështeti vënien në jetë të Reformës në Drejtësi duke akuzuar opozitën për sulm ndaj SPAK.

“Qytetarët e dinë shumë mirë se kush e kundërshtoi me çdo mjet dhe mënyrë. Është PS dhe kjo qeveri që është e vendosur të mbështesë me çdo kusht konsolidimin e saj. Shqiptarët e dinë shumë mirë se kush kërkon asgjësimin e SPAK-ut. Çdo ditë ne punojmë për forcimin e standardeve dhe institucioneve të drejtësisë sipas praktikave më të mira europiane duke përfshirë rishikimin e Kodit Penal dhe rishikimin e Kodit të Procedurës Penale.
Shqiptarët e shohin çdo javë se si të hënave shënjestrohen me emër dhe mbiemër prokurorët e SPAK dhe ngryset java me euforinë e mjerë kur subjektet e hetimit janë kundërshtarët politikë. Ne flasim për standarde, ju flisni për kallëzime dhe të pandehur edhe pse atë e keni në ballin tuaj. Ju mund të silleni sikur parimet kushtetuese të mos ekzistojnë, por ju e dini mjaft mirë prej 4 legjislaturash tashmë, se rotacioni politik vendoset me verdiktin popullor në kutitë e votimit dhe jo me vendime gjykatash”, deklaroi ministri i Drejtësisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme