“Tema e Ditës”- Gara për Avokatin e Popullit, Blushi sulmon Endri Shabanin: Diversant i Sorosit, zgjedhja e tij është antikushtetuese

Politikë | 11 muaj më parë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka lëshuar akuza të forta lidhur me procesin e zgjedhjes së Avokatit të ri të Popullit, duke shënjestruar drejtpërdrejt kandidatin Endri Shabani.

I ftuar në emisionin “Tema e Ditës” me moderatorin Arbër Hitaj, Blushi sqaroi pozicionin e partisë së tij, duke theksuar se firma e deputetëve të PL-së ka qenë dhe mbetet vetëm për kandidaturën e Adriana Kalasë.

“Në vlerësimin tonë, zonja Kalaja është ‘de facto’ Avokate e Popullit, për vetë angazhimin publik në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe si e kudondodhur në protesta kundër korrupsionit,” u shpreh ai.

Sulmi ndaj Shabanit: “Kandidat diversant”

Blushi përdori tone të ashpra ndaj kreut të “Nisma Thurje”, Endri Shabani, duke e cilësuar atë si një figurë që i shërben agjendave të huaja dhe jo interesit publik.

“Endri Shabani nuk meriton të jetë Avokat i Popullit, madje as kandidat. Ai është një figurë e sponsorizuar nga Sorosi dhe përfaqëson agjendën e tij. U bë qesharak edhe pas zgjedhjeve të 11 majit,” deklaroi Blushi.

Sipas numrit dy të PL-së, procesi ligjor për kandidimin e Shabanit ka rënë, pasi opozita ka tërhequr firmat mbështetëse në koordinim me Partinë Demokratike.

“Kandidat të bëjnë firmat e deputetëve, jo dëshira. Opozita është tërhequr nga firmat dhe ky është akt juridik. Nëse Kuvendi kalon për votim vetëm një kandidaturë të tillë, zgjedhja do të ishte kriminale dhe shkelje e Kushtetutës,” argumentoi ai.

Aksioni opozitar dhe akuzat për SPAK

Duke folur për aksionin politik, Blushi konfirmoi se Partia e Lirisë është në koordinim të plotë me Partinë Demokratike në protestat e fundit, të cilat i cilësoi si “të shëndetshme për demokracinë”.

“Kemi një regjim që është armik i votës së lirë. Ftesa për t’ju kundërvënë regjimit nuk ka nevojë për letra, por është detyrim ndaj Shqipërisë,” tha ai.

Në fund, Blushi nuk kurseu as kritikat ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke e akuzuar se nuk po lufton korrupsionin në nivele të larta.

“SPAK në këto vite nuk ka shërbyer për asgjë tjetër vetëm për të çimentuar një regjim si ky aktualisht. Është kthyer në një patericë në duart e Ramës, për t’i garantuar atij imunitet politik,” përfundoi Blushi.

/rtsh.al/  


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme