Temperatura nën 0°c në Devoll, ngricat e vona pranverore dëmtojnë frutikulturën

Aktualitet | 6 muaj më parë

Muaji maj ka nisur me një kthesë të pazakontë të motit, ku temperaturat kanë zbritur nën zero, duke sjellë ngrica të vona pranverore që kanë prekur ndjeshëm zonat bujqësore.

Në një periudhë kur natyra është në lulëzim të plotë, këto temperatura të ulëta kanë goditur pemët frutore në fazën më të ndjeshme të tyre, duke vënë në rrezik prodhimin e këtij viti.

Fermerët shprehen të shqetësuar për situatën dhe pasojat ekonomike që mund të sjellë ndaj kërkojnë mbështetje nga Ministria e Bujqësisë.

Sipas specialistëve të sektorit të bujqësisë, ngricat kanë prekur kryesisht pemëtarinë, e cila përbën një nga sektorët më të rëndësishëm ekonomikë të zonës.

“Frutikultura mbetet një nga sektorët më të rëndësishëm ekonomikë të zonës. Ne kemi monitoruar disa pika në Devoll, duke përfshirë të gjithë territorin e bashkisë, dhe kemi vënë re se i gjithë territori është prekur nga ky dëmtim. Megjithatë, shpresohet që të ketë prodhim të mirë për shkak të lulëzimit të bollshëm që pemët kanë pasur këtë vit, pasi kanë qenë shumë të mbara.

Në ditët në vijim pritet që temperaturat të jenë optimale për frutikulturën dhe në përputhje me kushtet normale të sezonit. Specialistët u rekomandojnë fermerëve përdorimin e aminoacideve, të cilat ndihmojnë në rivitalizimin e bimës dhe në uljen e stresit”, tha Maksi Hoxha, përgjegjës i Sektorit të Bujqësisë, bashkia Devoll.

Devoll njihet për traditën e zhvilluar në frutikulturë dhe për prodhimin e mollëve, dardhave, kumbullave, qershive dhe kulturave të tjera frutore, të cilat zënë një peshë të rëndësishme në ekonominë bujqësore të fermerëve vendas. Kushtet klimatike dhe tokat pjellore e kanë kthyer këtë zonë në një nga rajonet më të njohura për prodhimin e frutave në juglindje të vendit.

Gazetare: G. Manushi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme