Tensione në Gjeorgji, policia përplaset me protestuesit që synuan Pallatin Presidencial

Policia në Gjeorgji është përleshur ashpër me dhjetëra mijëra protestues antiqeveritarë këtë të shtunë, pasi demonstruesit u përpoqën të sulmonin dhe të futeshin në kompleksin e Pallatit Presidencial në kryeqytetin Tbilisi.
Forcat e sigurisë përdorën topa uji dhe sprej me piper për të shpërndarë protestuesit, shumë prej të cilëve mbanin flamuj të Gjeorgjisë dhe të Bashkimit Evropian, duke bërë thirrje për “shpëtimin e demokracisë”.
Protesta vjen në një moment të thellimit të krizës politike që ka përfshirë vendin e Kaukazit që nga zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, të cilat u fituan nga partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, por që opozita i quan të vjedhura.
Kjo krizë është rënduar më tej pasi qeveria ka ndaluar bisedimet për anëtarësim në BE, duke shkaktuar zemërim mes opozitës pro-perëndimore.
Demonstrata e së shtunës u zhvillua në të njëjtën ditë me zgjedhjet lokale, të cilat shumica e opozitës i bojkotoi pas goditjes së rëndë qeveritare ndaj aktivistëve dhe medias së pavarur gjatë muajve të fundit.
Një nga organizatorët e tubimit, këngëtari i operas Paata Burchuladze, i bëri thirrje punonjësve të Ministrisë së Punëve të Brendshme që të arrestonin menjëherë gjashtë figura të larta nga partia Ëndrra Gjeorgjiane. Pas kësaj deklarate, protestuesit marshuan drejt pallatit, duke çuar në përplasje me policinë.
Kjo valë e fundit e tensionit vjen pasi shumica e udhëheqësve kryesorë të opozitës pro-perëndimore aktualisht ndodhen pas hekurave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




