Tensionet në Gji, Irani kushtëzon armëpushimin, sulmet me dronë kërcënojnë sigurinë detare

Një armëpushim i brishtë në rajonin e Gjirit po përballet me sprova të ashpra, ndërsa Irani i është përgjigjur propozimit të SHBA-së me kushte të reja, shoqëruar me një valë sulmesh me dronë në pikat strategjike të transportit detar.
Përmes ndërmjetësve pakistanezë, Teherani ka bërë të ditur se dëshiron që bisedimet të përqendrohen në një “përfundim të përhershëm të luftës” në të gjitha frontet. Kjo përfshin jo vetëm Ngushticën e Hormuzit, por edhe Libanin, ku Izraeli vazhdon luftimet me Hezbollahun.
Shtëpia e Bardhë ka reaguar me skepticizëm. Presidenti Donald Trump, përmes rrjeteve sociale, ka akuzuar Teheranin për “lojëra 50-vjeçare”, duke paralajmëruar se diplomacisë po i jepet një shans i fundit përpara rifillimit të armiqësive në shkallë të gjerë.
Sulme me dronë në vendet e Gjirit
Ndërkohë që diplomacia tenton të gjejë rrugëdalje, terreni po nxehet. Emiratet e Bashkuara Arabe raportuan rrëzimin e dy dronëve iranianë në hapësirën e tyre ajrore, ndërsa një mjet tjetër fluturues shkaktoi zjarr në një anije pranë Katarit.
Autoritetet e Katarit e cilësuan ngjarjen si një “përshkallëzim të rrezikshëm” që kërcënon furnizimet jetësore globale. Irani, nga ana e tij, ka njoftuar se forcat e tij janë në “gatishmëri të plotë” për të mbrojtur centralet bërthamore nga çdo tentativë infiltrimi ose sulmi.
Çështja e uraniumit pengesa kryesore
Pika më e nxehtë e negociatave mbetet programi bërthamor i Iranit. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Teherani posedon rreth 440 kilogramë uranium të pasuruar në nivelin 60%, çka konsiderohet një hap teknik larg prodhimit të armëve bërthamore.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se lufta nuk mund të konsiderohet e mbyllur pa nxjerrë fizikishit uraniumin nga territori iranian. Në këtë pikë, Presidenti rus Vladimir Putin ka riofertuar propozimin e Moskës për të marrë dhe magazinuar uraniumin iranian si një zgjidhje kompromisi.
Bllokada detare dhe tregjet globale
Ngushtica e Hormuzit, rruga kryesore për naftën dhe gazin global, mbetet pothuajse e bllokuar, duke tronditur tregjet botërore. Ushtria amerikane ka njoftuar se ka bllokuar portet iraniane që prej mesit të prillit, duke ndaluar mbi 60 anije tregtare.
Në të njëjtën kohë, Franca dhe Britania kanë shprehur vullnetin për një mision ndërkombëtar sigurie në ngushticë, një lëvizje që Teherani e ka cilësuar si “të paligjshme” dhe ka kërcënuar me “përgjigje të menjëhershme”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




