Tensionet në Kuvend shtyjnë votimin për reformën zgjedhore dhe territoriale

Politikë | 1 vit më parë

Në një seancë plenare të tensionuar, Kuvendi i Shqipërisë vendosi të shtyjë votimin për ngritjen e Komisioneve të Posaçme për Reformën Zgjedhore dhe Reformën Administrative Territoriale.

Shtyrja erdhi si pasojë e zhurmës dhe debateve në sallë, ku deputetët e opozitës po flisnin nga vendi në momentin e kalimit në votim.

Gjatë seancës, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, theksoi gatishmërinë e mazhorancës për të miratuar propozimet e opozitës për Reformën Territoriale.

Balla njoftoi se PS është gati të pranojë paritetin në anëtarë, të drejtën e votës për bashkëkryetarin dhe ndarjen e anëtarëve si më poshtë: 16 anëtarë gjithsej (8 PS, 6 PD, 1 Përfaqësues PL, dhe 1 anëtar i grupit “Aleanca për Ndryshim”).

Për shkak të tensioneve, Balla propozoi që votimi për këto komisione të shtyhet për në datën 30 tetor.

Ngritja e komisionit për KQZ-në

Ndërkohë, Kuvendi arriti të miratojë ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Shqyrtimin dhe Përzgjedhjen e Kandidaturave të Komisionit Rregullator të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ky vendim u mor me 71 vota pro, 1 kundër dhe 0 abstenim. Anëtarët e këtij komisioni do të jenë:

Partia Socialiste

Damian Gjiknuri Kryetar

Aurora Mara Anëtar

Ermal Pacaj Anëtar

Partia Demokratike

Oerd Bylykbashi Anëtar

Ivi Kaso Anëtar

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme