Tensionet në protestën e PD, Lamallari: Policia veproi me profesionalizëm, s’do të lejojmë që vendi të merret peng

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar pas zhvillimeve gjatë protestës, duke përgëzuar Policinë e Shtetit për mënyrën e ndërhyrjes në terren.
“Përgëzime Policisë së Shtetit për reagimin profesional, vetëpërmbajtjen dhe neutralizimin e menjëhershëm të molotovarëve të përdorur si mish për top për të djegur qytetin, për të nxirë vendin dhe për të rrezikuar jetën e efektivëve me uniformë”, u shpreh ai.
Lamallari theksoi se Shqipëria nuk mund të mbahet peng nga grupe të vogla që, sipas tij, nuk hezitojnë të përfshijnë edhe të mitur në akte të dhunshme.
“Shqipëria nuk do të merret peng nga një pakicë që nuk ngurron të përdorë të miturit për të djegur dhe për të fshehur dështimin e vet”, deklaroi ministri.
Në përfundim, ai vuri në dukje se qytetarët duhet të zgjedhin mes, siç u shpreh ai, atyre që ndërtojnë të ardhmen europiane të vendit dhe atyre që synojnë ta shkatërrojnë atë.
“Mes atyre që ndërtojnë të ardhmen europiane të vendit dhe atyre që kërkojnë ta djegin atë, zgjedhja është tashmë e qartë nga mbarë shqiptarët”, përfundoi Lamallari.
Protesta e Partisë Demokratike u zhvillua me tensione dhe hedhje të molotovëve dhe fishekzjarrëve drejt godinës së Kryeministrisë. Kjo ka sjellë edhe ndërhyrjen e policisë me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e protestuesve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




