Tentojnë të djegin mbi 20 mjete të rënda në Akërni, shkrumbohet një fadromë. Policia në kërkim të autorëve
Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë natës së kaluar në zonën e hidrovorit të Akërnisë, në një zonë pyjore ku po kryhen punime me mjete të rënda.
Sipas informacioneve paraprake, persona ende të paidentifikuar kanë hedhur benzinë mbi më shumë se 20 mjete të rënda që përdoren për punimet në këtë zonë dhe më pas u kanë vënë flakën.
Si pasojë e zjarrit, një mjet tip fadromë është përfshirë plotësisht nga flakët dhe është djegur totalisht. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse të Vlorës, të cilat kanë bërë të mundur izolimin dhe shuarjen e zjarrit, duke parandaluar përhapjen e flakëve në mjetet e tjera të parkuara pranë.
Sipas dëshmitarëve, në momentin e ngjarjes roja i objektit ka qenë në vendroje, ndërsa autorët kanë vepruar shpejt duke hedhur lëndë djegëse dhe duke ndezur zjarrin.
Fatmirësisht, edhe pse benzina ishte hedhur mbi të gjitha mjetet e rënda, vetëm një fadromë u dogj plotësisht, ndërsa mjetet e tjera shpëtuan pa dëmtime serioze.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



