Tërmet i fuqishëm në Alaskë, lëshohet paralajmërim për cunami

Botë | 1 vit më parë

Një tërmet i fortë me magnitudë 7.3 Rihter ka goditur Alaskën mëngjesin e sotëm. Tërmeti kishte një thellësi prej 19 miljesh (30.5 km).

Pas tërmetit të fortë, autoritetet kanë lëshuar një paralajmërim për cunam ne zonat bregdetare.

Qendra Sizmologjike e Alaskës raportoi se lëkundjet u ndjenë në të gjithë Gadishullin e Alaskës dhe Ishujt Aleutian.A

Tërmeti goditi në orën 12:38 të pasdites sipas orës lokale dhe epiqendra e tij ishte 55 milje në jug të Sand Point, një komunitet në ishullin Popof, sipas Qendrës Amerikane të Paralajmërimit për Cunami.

Qendra tha se nuk pritej përmbytje e gjerë, por pritej të kishte rryma ose valë të forta që janë të rrezikshme për njerëzit shumë afër ujit.

Banorët e zonave përreth u këshilluan të largohen nga brigjet dhe të ndjekin udhëzimet e mbrojtjes civile. Deri tani, nuk raportohet për dëme apo viktima, por vlerësimet janë ende në vazhdim.

Ky tërmet riktheu kujtimet e errëta të ‘megatsunamit’ të vitit 1958 në Gjirin Lituya, kur një rrëshqitje toke pas një tërmeti gjeneroi një valë gati 525 metra të lartë, më e madhja e regjistruar ndonjëherë në histori.

Ekspertët e sizmologjisë theksojnë se edhe pse rreziku për një valë të tillë ekstreme është i ulët, kushtet gjeologjike të Alaskës e bëjnë gjithmonë një skenar të mundshëm, sidomos nëse tërmeti shoqërohet me rrëshqitje të mëdha masive në zonat e thepisura të bregut.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme