“Tërmet” në policinë e Sarandës, arrestohet shefi i Komisariatit Gëzim Bashllari dhe tre zyrtarë të tjerë për ndërtimet pa leje

Denoncimet e qytetarëve për paligjshmëritë në terren kanë çuar në një goditje të paprecedentë brenda radhëve të Policisë së Shtetit në qytetin e Sarandës. Pas një informacioni në Drejtorinë e Përgjithshme për një ndërtim masiv pa leje në det, është prangosur shefi i Komisariatit të Sarandës, tre specialistë të tjerë, si dhe është pezulluar Shefi i Seksionit të Krimeve.
Aksioni ka nisur si një ndërhyrje kundër betonizimit të bregdetit, por është thelluar duke zbuluar zinxhirin e mosveprimit brenda vetë radhëve të uniformave blu.
Zbulimi i objektit në ujë dhe 8 arrestimet e para
Sinjali i parë u dha në lagjen nr. 1 të Sarandës, ku u konstatua një objekt i përbërë nga disa struktura, një pjesë e të cilave ishin ngritur drejtpërdrejt në ujin e detit. Ndërhyrja e menjëhershme e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë çoi në arrestimin në flagrancë të 8 personave që po kryenin punimet e jashtëligjshme.
Paralelisht, u shpall në kërkim një shtetase e cila ishte poseduese e hapësirës së plazhit dhe porositëse e punimeve. Për të zhdukur pasojat e këtij krimi mjedisor dhe urbanistik, në terren zbarkuan IKMT, IMT dhe Policia Bashkiake, të cilat kryen prishjen e plotë të ndërtimeve.
Bie kupola e Komisariatit, emrat dhe akuzat
Skandali thellohej me pyetjen se si një ndërtim i tillë po lulëzonte pa u shqetësuar nga autoritetet lokale. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë njoftoi Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorinë e Sarandës, të cilat nisën një hetim të thelluar për të nxjerrë përgjegjësitë.
Pas mbledhjes së provave, u lëshuan urdhër-arrestet për katër zyrtarë të lartë dhe oficerë të terrenit:
Komisar Gëzim Bashllari, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Sarandë;
Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve;
Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist për rendin;
Inspektor Robert Çullaj, specialist zone.
Sipas dosjes hetimore, ata kanë lejuar në mënyrë të vetëdijshme zhvillimin e kësaj paligjshmërie.
“Ndaj këtyre punonjësve rëndojnë dyshime të forta për konsumimin e veprave penale ‘Shpërdorim detyre’, ‘Kryerja e veprimeve arbitrare’ dhe ‘Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme’, vepra këto të kryera në bashkëpunim, jo vetëm për këtë rast,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Përjashtimi nga Policia
Pas ndalimit të tyre, reagimi i qendrës ka qenë i ashpër. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka firmosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra për katër të arrestuarit. Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur tashmë procedurat për përjashtimin e tyre përfundimtar nga Policia e Shtetit, duke i akuzuar për pasoja të rënda në mbrojtjen e territorit dhe dëmtim të imazhit të institucionit.
Gjithashtu, furtuna nuk ka kursyer as Shefin e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum, Komisar Blerim Tafçiu. Drejtori i Përgjithshëm e ka pezulluar atë nga detyra pasi nuk është paraqitur për t’u marrë në pyetje gjatë veprimeve hetimore që po kryhen nga AMP.
Në përfundim, Policia e Shtetit ka bërë një apel të fortë publik, duke ftuar dhe inkurajuar qytetarët që të denoncojnë çdo rast të shpërdorimit të detyrës nga efektivët e saj. Institucioni rikonfirmon vendosmërinë për të pastruar radhët e veta nga kushdo që shkel ligjin dhe tradhton besimin e qytetarëve.
Akuzat e AMP
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë ndaluar me iniciativë punonjësit e policisë:
• Komisar Gëzim Bashllari, me detyrë Shef Komisariati;
• Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve
• Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist për rendin
• Inspektor Robert Çullaj, specialist zone;
ndaj të cilëve rëndojnë dyshime të forta për konsumimin e veprave penale:
• “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
• “Kryerja e veprimeve arbitrare”, parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal;
• “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, parashikuar nga neni 251 i Kodit Penal; të kryera në bashkëpunim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



