Tërmeti i fuqishëm në Filipine- 37 të vdekur, qindra të plagosur dhe mijëra ndërtesa të dëmtuara

Qindra lëkundje pasuese kanë tronditur jugun e Filipineve pas një tërmeti me magnitudë 7.8 ballë, i cili ka shkaktuar të paktën 37 viktima dhe 487 të plagosur.
Shkalla e dëmeve në ishullin Mindanao po bëhet gjithnjë e më e qartë teksa ekipet e emergjencës po arrijnë në zonat e prekura. Autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet në orët dhe ditët në vijim.
Dëme të mëdha në infrastrukturë
Sipas raportimeve, dhjetëra ndërtesa janë shembur, ndërsa shumë rrugë janë dëmtuar ose bllokuar nga rrëshqitjet e dheut. Pjesë të mëdha të Mindanaos vazhdojnë të jenë pa energji elektrike dhe pa lidhje telefonike.
Tërmeti goditi të hënën në mëngjes dhe shkaktoi paralajmërime për cunami në Indonezi, në jug të Mindanaos dhe përgjatë brigjeve të Paqësorit në Japoni, duke detyruar dhjetëra mijëra banorë të evakuohen.
“Shpresojmë që numri i viktimave të mos rritet më tej, por presim që bilanci të ndryshojë. Prioriteti ynë kryesor është operacioni i kërkim-shpëtimit”, deklaroi Bernardo Alejandro, ndihmës sekretar i agjencisë filipinase për menaxhimin e fatkeqësive.
Sipas vlerësimeve paraprake, rreth 2,000 banesa dhe 6,000 shkolla publike kanë pësuar dëmtime.
Zonë me aktivitet të lartë sizmik
Filipinet goditen shpesh nga tërmetet dhe shpërthimet vullkanike, pasi ndodhen në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit e Paqësorit”, një rajon me aktivitet të lartë sizmik dhe vullkanik.
Tërmeti i fundit u shkaktua nga lëvizjet tektonike në Hendekun Cotabato, në jug të vendit. E njëjta zonë ishte burimi i tërmetit shkatërrues të vitit 1976 me magnitudë 7.9, i cili shkaktoi një cunami që mori jetën e rreth 5,000 personave.
Qeveria mobilizon ekipet e emergjencës
Presidenti Ferdinand Marcos Jr deklaroi se të gjitha institucionet shtetërore janë angazhuar në operacionet e ndihmës dhe shpëtimit.
Ministrat e Transportit dhe Shëndetësisë kanë mbërritur në Mindanao për të koordinuar reagimin ndaj emergjencës. Autoritetet raportojnë se lëkundjet pasuese vazhdojnë të krijojnë vështirësi për ekipet mjekësore dhe të shpëtimit.
Në disa zona, si Jose Abad Santos në provincën Davao Occidental, qasja mbetet e kufizuar për shkak të rrëshqitjeve të dheut që kanë bllokuar rrugët kryesore.
“Mallrat dhe ndihmat humanitare duhet të transportohen me avion drejt fshatrave të largëta”, deklaroi kryebashkiaku Jason John Joyce.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




