Krimi i dyshuar mjedisor në Theth, Rama: Çfarë borxhi i kanë prokurores, Parku Kombëtar dhe banorët punëtorë të zonës?

Kronikë | 1 vit më parë

Një aksion i gjerë i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Policisë së Shtetit ka nisur të hënën në fshatin turistik të Thethit, me qëllim lirimin e hapësirave publike dhe shembjen e ndërtimeve pa leje. Kjo ngjarje vjen pas një denoncimi të fortë publik nga Kryeministri Edi Rama, i cili akuzoi drejtpërdrejt një prokurore për mosveprim.

Rama denoncon prokuroren Elsa Gjeli

Kryeministri Rama shpërndau në rrjetet sociale pamje nga aksioni i IKMT-së dhe përmendi me emër prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli, se kishte refuzuar të niste hetimet kur Policia e Shtetit pati raportuar për ndërtimet pa leje në zemër të Thethit.

“Ja shikojeni vetë live nga Thethi. Kjo është fusha e mrekullueshme e Thethit, ku një kriminel – që as nuk ka kurajon të shfaqet ndërkohë që IKMT po zbaton ligjin – ka hedhur betonin e dynjasë për të ndërtuar “fshatin e tij turistik” pa asnjë leje, një krim i shumëfishtë për të cilën një prokurore e quajtur Elsa Gjeli ka refuzuar të hapë çështjen duke hedhur në kosh denoncimin e Policisë së Shtetit,” deklaroi Rama.

Pyetjet e Kryeministrit: Kush do i paguajë kostot?

Rama vijoi me një sërë pyetjesh retorike, duke vënë theksin te dëmi i shkaktuar dhe kostot e larta që i faturohen taksapaguesve shqiptarë për ndreqjen e kësaj situate.

“Tani çfarë borxhi i kanë zonjës Gjeli, Republika e Shqipërisë, Parku Kombëtar i Thethit, banorët e mrekullueshëm e punëtorë të Thethit, vizitorët e turistët e shumtë dhe gjithë këto forca që kanë zbarkuar sot në Theth, bashkë me taksapaguesit shqiptarë që do të paguajnë tërë këto shpenzime për paga e për karburant, për pastrimin e kësaj katrahure dhe kthimin e qendrës së qytezës magjike në gjendjen e mëparshme?!” shkroi Rama.

Nëpërmjet videos, Kryeministri theksoi se prokurorja Gjeli “nuk ka shpallur në kërkim të menjëhershëm personin që ka bërë një ndërhyrje të tillë brutale, por ka shpallur mosfillim të çështjes.”

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme