Tirana në qendër të vëmendjes evropiane – Hapet nesër Samiti për “Planin e Rritjes”, Komisionerja Kos mirëpritet nga Spiropali

Politikë | 12 muaj më parë

Në vigjilje të Samitit të rëndësishëm të Bashkimit Evropian për Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor, i cili zhvillohet nesër në Tiranë, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, mirëpriti Komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos.

Pritja, e cilësuar si miqësore, u zhvillua në rrugët e kryeqytetit, ku Spiropali dhe Kos u shfaqën mes qytetarëve, duke dërguar një mesazh të qartë afërsie dhe bashkëpunimi.

Gjatë takimit, ministrja Spiropali vlerësoi lart energjinë dhe përkushtimin e Komisioneres Kos, duke theksuar qasjen e saj mbështetëse ndaj reformave dhe rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Spiropali theksoi se vizita e Komisioneres në Tiranë, në këtë moment të rëndësishëm politik dhe strategjik, është një sinjal i qartë i mbështetjes së BE-së për Shqipërinë.

Ajo ndau edhe një postim në rrjetet sociale, duke e shoqëruar me një foto nga takimi:

“Me Martën, nëpër Tiranë. Në vigjilje të Samitit për Planin e Rritjes të BE për Ballkanin Perëndimor që mbahet nesër në vendin tonë, mirëprita në Tiranë miken e Shqipërisë, Komisioneren për Zgjerimin Marta Kos, gruan që rrezaton energji, përkushtim dhe mbështetje për vlerat, autenticitetin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë”, shkroi ministrja Spiropali.

Agjenda e Samitit

Nesër, Shqipëria do të mirëpresë Samitin me temë: “Plani i Rritjes, Rruga jonë në BE” (Growth Plan “Our pathway to EU”).

Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisionerja Marta Kos do të zhvillojnë diskutime thelbësore mbi këtë plan, i cili ka për qëllim integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt Tregut të Bashkimit Evropian.

Samiti, që pritet të jetë një pikë kthese në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian, do të zhvillohet të premten në Pallatin e Brigadave në Tiranë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme