Tirana në qendër të vëmendjes, Rama për revistën “Dezeen”: Duam histori dashurie midis arkitektëve dhe Shqipërisë

Politikë | 1 vit më parë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë ekskluzive për revistën prestigjioze botërore të arkitekturës, Dezeen, ka dhënë një pasqyrë të thellë mbi vizionin e tij urban dhe rëndësinë që i kushton zhvillimit arkitektonik në vend.

Rama theksoi se arkitektura e mirë është një “prani frymëzuese” dhe një “burim energjie shtesë” për shoqërinë shqiptare, duke deklaruar se “një festival arkitekture është më i rëndësishëm sesa një samit politik.”

Sipas revistës, Shqipëria, me Tiranën në krye, ka tërhequr vëmendjen e botës për shkak të valës së projekteve madhore të realizuara nga studio të njohura si MVRDV, BIG dhe Ricardo Bofill Taller de Arquitectura.

Arkitektura si ndikues i madh shoqëror

Gjatë bisedës nga zyra e tij në Tiranë, Kryeministri Rama shprehu bindjen e tij se arkitektura ka fuqinë të ndryshojë mënyrën se si njerëzit jetojnë. Ai kujtoi përvojën e tij si Kryetar Bashkie, kur pas prishjes së mbi 10,000 ndërtimeve informale, kuptoi se “arkitektura e mirë mund ta ndryshonte drejtimin në shumë mënyra.”

Duke kritikuar rënien e ndikimit të profesionit në nivelet më të larta të politikës globale, Rama theksoi: “Për mijëra vjet, arkitektët ishin në të njëjtin hapësirë me mbretërit dhe sundimtarët e tjerë… Kjo është për të ardhur keq, sepse arkitektura mund të ndihmojë shumë.”

Kërkesa për identitet, “jo Dubai I ri”

Në kushtet kur rrokaqiej të rinj po transformojnë qytetin, Rama ka një kërkesë të qartë drejtuar arkitektëve ndërkombëtarë: ndërtesat duhet të lidhen me terrenin dhe identitetin shqiptar.

“Nuk duam arkitekturën gjenerike apo arkitekturën globale… Duam ndërtesa që na përkasin neve dhe botës,” u shpreh ai, duke shtuar se kërkon “histori dashurie midis arkitektëve dhe Shqipërisë.”

Për t’i shmangur kritikat se Tirana po kthehet në një qendër globale të uniformuar, Rama rrëfeu një anektodë ku i ka thënë një arkitekti të njohur se projekti i tij i bukur “duhet të ndërtohet në Dubai.”

“I thashë arkitektit: Eja dhe flisni me malin, dëgjoni lumin… ky është shpirti. Tirana nuk është Dubai i ri. Tirana është Tirana,” theksoi Rama. Ai hodhi poshtë kritikat ndërkombëtare për zhvillimin e shpejtë si “budallallëqe” dhe “kokoshka” të cilat do të zhduken, ndërsa ndërtesat do të mbeten.

“Ushtria e madhe” e arkitektëve dhe ylli i ardhshëm shqiptar

Kryeministri shprehu krenarinë e tij për prezencën e “ajkës së arkitektëve të sotëm” në Shqipëri, të cilët i quan “ushtria e madhe e Shqipërisë.” Ai beson se ky angazhim do të frymëzojë brezin e ri vendas.

“Unë besoj se pas 10 vitesh do të kemi yllin tonë. Do të kemi Bjarken [Ingelsin] tonë pas 10 vitesh. Pse jo?”, përfundoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme