Tirana, “shtëpia” e liderëve evropianë, ngrihet struktura ku do mbahen takimet e rëndësishme politike
Për dy ditë radhazi, Tirana do të kthehet në kryeqendrën e takimit të liderëve europianë. Një strukturë e ngritur në dy kate është bërë gati, ndërsa punimet në sheshin kryesor të Tiranës, që do të mikpresë të pranishmit, vijojnë. Afro 40 liderë shtetesh së bashku me krerët e institucioneve kryesore evropiane dhe ndërkombëtare do të diskutojnë çështje me peshë të perspektivës së vendeve pjesëmarrëse.
Tre tryeza të rrumbullakëta janë parashikuar, ku do të zhvillohen bisedimet që do të përqendrohen në disa shtylla kryesore, nga të gjithë pjesëmarrësit në këtë Samit ndërkombëtar. Seksioni i parë është parashikuar të fokusohet tek çështjet e sigurisë, mbështetja e Ukrainës, si dhe forcimi i aftësive të mbrojtjes së Europës.
Një tjetër tryezë e dytë do të vijojë bisedimet me shqyrtimin e mundësive të rritjes së konkurrueshmërisë dhe sigurisë ekonomike, përqendruar në inovacion, infrastrukturë dixhitale dhe qëndrueshmërinë energjetike.
Dinamika komplekse e emigrimit dhe fuqizimi i të rinjve do të jetë një tjetër çështje, si thelb i bisedimeve gjatë sesionin të tretë.
Më herët, samitet e këtij niveli janë mbajtur në Pragë, Moldavi, Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Hungari. Kjo është hera e parë që ky takim i shtrin punimet në Ballkanin Perëndimor. Presidenti francez, Emmanuel Macron, pritet të jetë i pranishëm, duke shënuar vizitën e dytë zyrtare ndërsa do të çelë edhe dyert e një shkolle të re në Shqipëri në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.
Në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, me vendim të Këshillit të Ministrave datat 15 dhe 16 maj janë shpallur ditë pushimi zyrtar për punonjësit e administratës shtetërore të bashkisë Tiranë, Kamzë, Vorë dhe Krujë, me përjashtim të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, të shërbimit zjarrfikës dhe punonjësve të sistemit shëndetësor.
Gazetare: E. Hasanbelli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



