SPAK jep pretencën për ish-kreun e Bashkisë Himarë, kërkon 2 vite burg për Jorgo Goron

Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për dosjen e dytë penale ndaj ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, lidhur me një rast tjetër të tjetërsimit të pronës publike në zonën e Livadhës. SPAK kërkon 2 vite burg për Goron, të cilat me gjykim të shkurtuar zbresin në 1 vit e 4 muaj. Ai akuzohet për shpërdorim të detyrës në më shumë se një rast.
Në të njëjtën çështje, për ish-drejtorin e menaxhimit të pronës në Bashkinë Himarë, Vasillaq Strakosha, SPAK ka kërkuar 1 vit e 6 muaj burg, që në kushtet e gjykimit të shkurtuar zbret në 1 vit.
Hetimi nisi pas kallëzimit të Fredi Belerit, i cili akuzoi Goron se në vitin 2016 kishte kaluar në mënyrë të paligjshme 4263 m² tokë në emër të Arqile Bollanos, i komanduar në atë kohë në krye të bashkisë. Bollano, sipas prokurorisë, kishte përfituar më herët edhe 7700 m² tokë bazuar në ligjin 7501, duke e tejkaluar sipërfaqen që i takonte.
Goro është dënuar më herët edhe për një tjetër çështje, ku mori 2 vite e 20 ditë burg për shpërdorim detyre dhe mosdeklarim pasurie. Në atë rast u konfiskuan mbi 10 mijë m² tokë të dhëna për investime strategjike në emër të Artan Gaçit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




