TKOB nis sezonin e ri artistik, kryeveprat e Operës Botërore në skenën shqiptare me një mbrëmje gala

Kulturë | 2 muaj më parë

Të gjitha rrugët të çojnë drejt skenës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, aty ku provat intensive kanë nisur për të çelur sezonin e ri artistik.

Më 10 shtator, ora 20:00, TKOBAP ngre siparin me “Gala Operistike”, një mbrëmje që premton të sjellë në skenë emocionin, madhështinë dhe elegancën e repertorit operistik botëror.

Solistët, Kori dhe Orkestra Simfonike e TKOBAP-së janë duke punuar intensivisht për këtë koncert, i cili do të bashkojë artistë të shquar shqiptarë me dy emra të njohur të skenës ndërkombëtare: tenorin Stefan Pop dhe dirigjentin Simone Di Felice.

“Galatë ne personalisht i presim me shumë kënaqësi se është ajo pasqyra e bukur e një repertori të gjerë që ka pasur ndër vite dhe do ketë në të ardhmen”, tha Vikena Kamenica.

“Mbas një sezoni të jashtëzakonshëm që ka pasur teatri i operës dhe i baletit të falë edhe drejtorit Aulon Naçi sezoni hapet me një super gala. E reja e kësaj galaje është tenori Stefan Pop, një nga zërat më të bukur, një nga tenorët më të mirë sot për sot në botë dhe dirigjenti Stefano di Feliçe”, tha soprano Eva Golemi.

“Nesër mbrëma, në orën 20:00, ftojmë publikun artdashës që ta hapim këtë sezon artistik këtu, në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Ne u bëmë gati, ndërkohë kemi zhvilluar dhe provat. Jemi gati për skenë”, tha Armando Likaj, bariton.

Në skenë do të interpretohen kryevepra të repertorit operistik botëror, ndërsa muzika e orkestrës, fuqia e korit dhe zërat e solistëve do të ndërthuren në një spektakël të konceptuar si një festë e madhe e artit.

Një sezon që synon të sjellë në skenën e TKOBAP-së repertor të pasur, artistë të njohur dhe produksione që do ta mbajnë publikun pranë muzikës, operas dhe baletit.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme