Toni Gogu: Paga e gjyqtarëve kalon vetëm nga dera e ligjit, Kuvendi mbron çdo qindarkë të qytetarëve
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi në Kuvend se shumica parlamentare ka ardhur për të plotësuar boshllëkun e krijuar nga skadimi i afatit të 31 korrikut lidhur me pagat e gjyqtarëve, duke theksuar se vendimet për këto paga i takojnë vetëm ligjvënësit.
Sipas Gogut, shumica nuk ka ardhur për të anatemuar situatën, por për ta mbushur atë boshllëk me një projektligj të ri. Ai theksoi se pyetja thelbësore që udhëheq këtë proces është: “Kush vendos për pagat e gjyqtarëve?”
“Nuk e ka shpikur pyetjen, e ka marrë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili zbërthen parimin kushtetues dhe shkruan: detyrimi i Kuvendit të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme, jo i qeverisë, jo i këshillave, por detyrimi i këtij Kuvendi,” deklaroi Gogu.
Ministri nënvizoi se paga e gjyqtarit dhe e magjistratit, ashtu si ajo e doktorit apo e zjarrfikësit, kalon vetëm nga një derë – dera e ligjit.
Sipas tij, askush nuk duhet të ketë diskrecionin për t’i caktuar pagën vetes, sepse në atë rast nuk do të ishte më rregull i përgjithshëm, por përjashtim.
Gogu theksoi se buxheti i shtetit nuk është “dollap me shumë sirtarë ku secili pushtet apo institucion ka sirtarin e vet”.
“Ka vetëm një arkë, që është arka e qytetarit shqiptar që e ruan ky Kuvend,” tha ai, duke shtuar se duhet mbrojtur çdo qindarkë e qytetarëve që paguajnë për drejtësinë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




